Arkitekti Arianit Bytyçi: Të ndërtohet Muzeu i Luftës së UÇK-së dhe Qendra Protokollare Shtetërore në Divjakë

14 janar 2022 | 15:22

Parmbrëmë në Radiotelevizionin e Kosovës u transmetua pjesa e parë e dokumentarit “Të harruar apo të neglizhuar” i autores Artë Avdiu, dokumentar i cili për herë të parë trajton në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të argumentuar çështjen e mospërkujdesjes së duhur institucionale ndaj komplekseve memoriale dhe objekteve tjera që synojnë përkujtimin dhe valorizmin e vlerave të luftës çlirimtare të Kosovës.

Dokumentari është përgatitur që nga vera e vitit 2021 e deri në dhjetor 2021.

Në pjesën e parë të dokumentarit, janë shfaqur pamje dhe janë prezantuar rrëfime për Zonën e Interesit të Veçantë “Kleçkë, Divjakë – Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së”, konkretisht për mosndërtimin e Muzeut të Luftës së UÇK-së dhe Qendrës Protokollare Shtetërore në Divjakë dhe mungesën e konservimit dhe restaurimit të shtëpive ku ka vepruar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në Divjakë.

Edhe pse ndërtimi i këtyre objekteve publike dhe konservimi dhe restaurimi i shtëpive në Divjakë është obligim ligjor që e ka shteti i Kosovës, obligim ky i paraparë me Planin Hapësinor të Zonës së Interesit të Veçantë “Kleçkë, Divjakë – Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së”, ende nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.

Për këtë çështje, në dokumentar flet arkitekti Arianit Bytyçi, i cili thekson edhe obligimin e institucioneve të Kosovës për përfundimin e punimeve edhe në Kompleksin Memorial në Kleçkë, ku është paraparë të ndërtohet Amfiteatri, Muzeu i Motovimit dhe parku i kompleksit.

No description available.

Po ashtu, arkitekti Bytyçi thekson se sipas Planit Hapësinor të zonës, në Kleçkë duhet ndërtuar edhe Pushimorja e fëmijëve të dëshmorëve, po ashtu edhe shtigjet e biçiklistëve në gjithë territorin e zonës së interesit të veçantë “Kleçkë, Divjakë – Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së”, si dhe të bëhet konservimi dhe restaurimi i objekteve të rëndësisë historike në Kleçkë, Divjakë, Luzhnicë, Berishë, Fshat të Ri dhe fshatrat tjera, ku ka vepruar UÇK-ja dhe institucionet e luftës, përfshirë Radion “Kosova e lirë” dhe Agjencinë e Lajmeve “Kosovapress”.

Në vazhdim të pjesës së parë të dokumentarit “Të harruar apo të neglizhuar” që është prodhim i RTK me autore gazetaren Artë Avdiu, janë trajtuar kompleksi memorial në Gllogjan dhe komplekset tjera memoriale në Prishtine, Lavdovicë, Likoshan, në Mitrovicë, Kamenicë, Shtime etj.

E përbashkëta e shumicës së komplekseve memoriale, sipas hulumtimeve që shfaqen në dokumentar është mospërkujdesja e duhur institucionale që shfaqet përmes mospërfundimit të punimeve në këto komplekse memoriale, cilësisë së dobët të punimeve dhe në disa e raste edhe përmes mosqëmdrueshmërisë dhe moskreativitetit estetik dhe arkitektonik të projekteve të komplekseve memoriale të Kosovës.

Për këtë temë, autorja e dokumentarit ka intervistuar edhe sociologun Shemsi Krasniqi, drejtorin e Agjencisë së Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, si dhe shumë veteranë të luftës anë e kënd Kosovës.

Një çështje tjetër me rëndësi që është trajtuar në pjesën e parë të dokumentarit është edhe përfshirja e varrezave të veteranëve në të njëjtat varreza me dëshmorë e heronj.

Shumica e të intervistuarve në dokumentar shprehin bindjen që në varrezat e dëshmorëve nuk duhet të varrosen edhe veteranët, por varrezat e veteranëve duhet të jenë të ndara për arsye se pas vitit 1999 nuk ka dëshmorë të lirisë së Kosovës.

Linqet ku mund të ndiqni pjesën e parë dhe pjesën e dytë të dokumentarit “Të harruar apo të neglizhuar”:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se në Kosovë janë…