Arkitekti Bytyçi kërkon transparencë në konkursin për memorialin e fëmijëve të vrarë të Kosovës
Arkitekti Arianit Bytyçi u ka shkruar letër krerëve të institucioneve të cilëve u ka kërkuar respektim të bazës ligjore për çështjen e shpalljes së konkursit ndërkombëtar të arkitekturës për memorialin e 1 432 fëmijëve të vrarë të Kosovës. “Çdo tentim i tejkalimit apo devijimit të kësaj baze ligjore, me qëllim të trajtimit të këtij projekti përmes procedurave të mbyllura apo procedurave të negociuara, që do ta pamundësonte konkurrencën e projekteve të arkitektëve, skulptorëve e disenjatorëve vendorë e ndërkombëtarë, është e jashtëligjshme”, ka shprehur mendimin Bytyçi.
Ai, po ashtu, ka kërkuar koordinim të të gjitha ministrive përgjegjëse dhe institucioneve të tjera publike që merren me memorialet e luftës, që të harmonizohen që këto konkurse të ngrehen në nivelin e organizimit të konkurseve ndërkombëtare të projektimit, në mënyrë që çështja e dokumentimit të luftës çlirimtare të Kosovës dhe e gjenocidit serb në Kosovë të riafirmohet në nivelin ndërkombëtar me qëllim të rikthimit të kujtesës së opinionit dhe faktorit ndërkombëtar për domosdoshmërinë e gjykimit të gjenocidit serb në Kosovë.
Arkitekti Bytyçi ka propozuar edhe që të themelohet një grup punues ndërinstitucional që do të merret me përgatitjen e konkurseve ndërkombëtarë për: Memorialin e 1 432 fëmijëve të vrarë të Kosovës nga viti 1981 deri në vitin 1999; Muzeun e Luftës së UÇK-së; Muzeun e Gjenocidit; dhe Monumentin e Lirisë dhe të Pavarësisë. Sipas tij, ky grup duhet të punojë shumë edhe për caktimin e jurive profesionale kredibile për projektet e lartpërmendura dhe që emrat e anëtareve të jurisë të bëhen publikë me qëllim të rritjes së transparencës dhe të kredibilitetit të proceseve të këtyre konkurseve.
Duke vlerësuar iniciativën e z. Nusret Pllana për ndërtimin e një memoriali për fëmijët e Kosovës, arkitekti Arianit Bytyçi në letrat e tij ka theksuar se “për arsye të nismës së ndërmarrë nga Nusret Pllana dhe ekipi i tij për ndërtimin e këtij memoriali të fëmijëve, ai do të duhej të përfshihej në ekipin profesional në mënyrë që detyra projektuese t’i përfshijë edhe të dhënat për vrasjen e fëmijëve të Kosovës nga forcat serbe, të dhëna të publikuara në formë të librit nga Pllana” ka thënë Bytyçi.
Është me rëndësi të potencohet se iniciativa e arkitektit Arianit Bytyçi për shpalljen e një konkursi ndërkombëtar të arkitekturës për Memorialin e 1 432 fëmijëve të vrarë të Kosovës nga viti 1981 deri në vitin 1999, ka gjetur përkrahje të gjerë nga komuniteti i arkitektëve të Kosovës.
Së fundmi, edhe arkitekti i njohur nga Kosova, prof. dr. Bujar Demjaha, pas deklarimeve se edhe ai është autor i memorialit të fëmijëve të paraqitur në publik, në një postim në “Facebook”, duke komentuar debatin e organizuar në “Edicionin Special” të “Klan Kosovës”, ka theksuar se pajtohet me kolegun Arianit Bytyçi dhe e përgëzon atë për siç thotë “qartësimin e procedurave që duhet të ndiqen – qasjen institucionale”. Arkitekti Demjaha qartëson, po ashtu, opinionin publik se autor i memorialit nuk është ai, por se “kontributi im ka qenë minor dhe atë në formë konsulencë për çështje teknike dhe pas përzgjedhjes së projektit ideor të autorit Rrezeart Galica”.