Arkitekti Bytyçi: Qeveria ta hartojë dhe ta zbatojë strategjinë e reformave në fushën e arkitekturës

20 janar 2018 | 15:27

Arkitekti nga Prishtina, Arianit Bytyçi, ka alarmuar për nivelin e ulët të respektimit nga institucionet të Arkitekturës si disiplinë shumëdimensionale dhe e rëndësishme në promovimin e identitetit evropian të shtetit të Kosovës.

Në një intervistë për “Ndërtimi.info”, Bytyçi propozon që Qeveria e Kosovës të ndërmerr hapa konkretë të reformave për promovimin e vlerave arkitektonike përmes veprimeve institucionale dhe ligjore.

“Ne jemi në atë nivel të ulët të respektimit të arkitekturës, sa që për sallën e Kuvendit të Kosovës dhe ambientet tjera të kuvendit, përfshirë kabinetin e kryeparlamentarit, enterieri apo arkitektura e brendshme është përzgjedhur pa asnjë konkurs arkitekture. Ky enterier është zbatuar në bazë të shijes personale apo praktikës së kompanisë që ka realizuar objektin qeveritar të Kremlinit në Moskë. Dhe, në këtë mënyrë ligjvënësve kosovarë dhe popullit të Kosovës i është imponuar kjo shije aziatike e enterierit që është lejuar të zbatohet në institucionin më të lartë të vendit. Në mënyrë të njëjtë të shijes, është realizuar edhe tek arkitektura e brendshme e amfiteatrit të objektit qeveritar ish-Rilindja, ku në këtë sallë të amfiteatrit më shumë vërehet apo potencohen “klasicizmat” e ngarkuar të foltores sesa folësi apo kryeministri kur mban fjalim aty. Pra, shija e antivlerave arkitektonike është lënë të imponohet edhe tek objektet publike”, ka theksuar Bytyçi.

Në një intervistë për “Ndërtimi.info”, arkitekti Bytyçi përmend edhe shembullin e fundit, ku ministri i jashtëm i Kosovës që rrjedh nga kompania që ka realizuar enterierin e objekteve të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, ka marrë iniciativë që ta rinovojë kabinetin e ministrit të jashtëm me paratë e veta, në bazë të shijes së tij personale.

“Imagjinoni a do të mund që presidenti i ShBA-ve, Donald Trump ta ndërmerrte iniciativën që me paratë e veta t’ia ndërronte arkitekturën e brendshme objektit të Shtëpisë së Bardhë në Uashington. Kjo do të ishte e pamundur. Do të thotë: aq respektohet Arkitektura në Kosovë saqë i lihet mundësia çdokujt, qoftë edhe në nivelin institucional që të krijojë identitet arkitektonik në bazë të shijes së vet personale. Dhe, ti nuk e dallon kur shkon në zyrën e kryeparlamentarit të Kosovës, në sallën e kuvendit, apo tash edhe në kabinetin e ministrit të jashtëm, se a je në institucion shtetëror, apo je në kompaninë private të ndërtimit, e cila i ka zyrat me shije dhe identitet të njëjtë të arkitekturës së brendshme”, ka thënë ai, duke shtuar se “kjo nuk do të duhej lejuar”.

“Në gjithë botën janë disa standarde për objekte shtetërore që duhet respektuar. Për shembull në ShBA, për projektimin e Bibliotekave Presidenciale janë standardet detaje që duhet të respektohen nga të gjithë projektuesit që hartojnë projektet për këtë lloj objekti shtetëror, që së fundmi janë respektuar edhe në projektin e Bibliotekës së Presidentit Obama në Çikago”, ka sqaruar Bytyçi.

Prandaj, duke parë gjendjen kaotike të ndërtimeve në vend, Kosova duhet që të hartojë dhe zbatojë strategjinë e reformave në fushën e arkitekturës. Kështu propozon arkitekti Arianit Bytyçi.

Kjo strategji duhet të bëhet, ka thënë arkitektit Bytyçi, pasi aktualisht institucionet s’e shohin ndërtimin si proces të krijimit të vlerave arkitektonike.

Duke theksuar se institucionet e vendit aktualisht arkitekturën e shohin si proces tërësisht teknik dhe teknologjik, arkitekti Bytyçi ka treguar se si duhet të dilet nga gjendja aktuale e ndërtimit dhe arkitekturës së vendit.

“Qeveria e Kosovës t’i trajtojë me prioritet reformat në arkitekturë, përmes veprimeve të veta institucionale, që do të ishin: përfshirja e arkitekturës në dokumentin më të lartë strategjike, siç është Strategjia kombëtare e Zhvillimit, ku nuk përmendet askund arkitektura, edhe pse përmenden të gjitha fushat tjera, por arkitektura dhe planifikimi hapësinor nuk përmenden fare. Hapi i dytë duhet të jetë përfshirja e reformave në arkitekturë në programin e Qeverisë së Kosovës. Dhe, mbi të gjitha të iniciohet hartimi i strategjisë, apo Politikës së Arkitekturës së Kosovës, që do të ishte shprehje e vullnetit politik institucional për t’i i ndërmarrë dhe zbatuar këto reforma. Dhe, ajo strategji apo politikë e arkitekturës do të përcaktonte të gjitha veprimet institucionale dhe akterët e zbatimit të këtyre veprimeve me qëllim që të krijohen rrethana të favorshme dhe afirmative për të krijuar arkitekturë në Kosovë”, ka thënë ai.

Si pjesë e strategjisë duhet të jenë edhe reformat në arsim, ku mes tjerash Bytyçi propozon që të ndërmerret iniciativa për botimin e literaturës universitare në fushën e Arkitekturës, Planifikimit Hapësinore dhe të Ndërtimit.

“Në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës nuk ka literaturë adekuate, libra universitarë në gjuhën shqipe apo ka fare pak. Askush deri më tani nuk ka marrë iniciativën që së paku nëse nuk munden ata profesorë të krijojnë vetë vepra universitare për arkitekturë, atëherë të marrin të drejtat e autorit nga autorë ndërkombëtarë dhe të përkthejnë literaturën profesionale për arkitekturë. Sepse, nuk mund të dalë një arkitekt i suksesshëm nëse nuk ka literaturë bazike. Dhe, unë mendoj se kjo mund të bëhet. Kemi Ambasadën Amerikane, si dhe ambasadat tjera të vendeve mike të Kosovës, të cilat mund të na ndihmojnë që së paku ata të na heqin shpenzimet e të drejtës autoriale të profesorëve të arkitekturës që kanë krijuar vepra universitare për arkitekturën dhe planifikimin, si dhe mundësisht të na mbështesin edhe përkthimin profesional të kësaj literature profesionale, dhe në këtë mënyrë studentët të kenë literaturë adekuate për të studiuar. Kjo është një kërkesë imediate që duhet menjëherë të zbatohet”, ka theksuar arkitekti Arianit Bytyçi.

Hartimi dhe zbatimi i Strategjisë (Politikës) së Arkitekturës së Kosovës, sipas Bytyçit është i pashmangshëm, pasi është tashmë praktikë e suksesshme e vendeve europiane, si Danimarka, Holanda, Norvegjia dhe vendeve tjera të Bashkimit Evropian. Madje në këtë fushë funksionon edhe Forumi Evropian i Politikave të Arkitekturës, ku marrin pjesë vendet anëtare të BE-së dhe nga ku vendi ynë mund të përfitojë mbështetje substanciale në hartimin dhe zbatimin e Politikës së Arkitekturës së Kosovës, si dokument qeveritar i reformave në këtë fushë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish- deputeti i Partisë Socialiste, themeluesi i LIBRA-s, Ben Blushi…