Arkitekti i kryeqytetit dhe një vizion i ri për Prishtinën

05 qershor 2024 | 14:39

Nga Perparim Rama

Si kryetar i Prishtinës, mbaj barrën dhe privilegjin e një detyre të rëndësishme, për të cilën qytetarët më kanë besuar me votën e tyre. Përveç obligimeve të përditshme dhe përmbushjes së premtimeve, kjo detyrë më jep mundësinë për të treguar arritjet dhe planet tona për të ardhmen. Por, më e rëndësishmja, ajo që bën diferencën është koncepti i Arkitektit të Kryeqytetit – një institucion kyç që ndihmon në krijimin e një narrative të re për qytetin tonë. Duke harmonizuar të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit luan një rol të pazëvendësueshëm në ndërtimin e një Prishtine më të mirë për të gjithë.

Të qenit i zgjedhur me votë, përveç barrës dhe privilegjit, ka një tjetër dimension të

ndryshëm nga gjithçka tjetër: rikujtimin. Nuk mund të harrosh asnjëherë që të kanë zgjedhur dhe që, mu për këtë arsye, ke disa obligime të cilat i ke marrë që atë ditë.

“Kryetar, po kjo… është një prej togfjalëshave që të bie t’i mësosh përmendësh, i cili në të shumtën e rasteve shoqërohet me pyetje për ndonjë punë që po kryhet a ndonjë projekt të premtuar. Ta thonë të gjithë, përditë dhe kudo. Dhe, ndryshe nga ç’mund të duket në pamje të parë, kjo nuk është një diçka që dua ta shmang. Përkundrazi, është një mundësi. Një rast për të treguar atë që kemi bërë, po bëjmë dhe do të bëjmë, më shpejt dhe më mirë se kushdo tjetër, për Prishtinën.

Asnjë qyteti dhe veçanërisht një kryeqyteti, sado i madh apo i vogël të jetë, s’i mungojnë asnjëherë rrëfimet dykohëshe: për të tashmen dhe të shkuarën.

Si jemi? Dhe, si ishim?

Të dy këto janë pyetje të thjeshta, të cilave, shpeshherë, mjafton kujtesa për t’u kthyer përgjigje. Sepse njerëzit i prekin përditë dhe janë në memorien e

çdonjërit, të të gjithëve së bashku. Atë që plot qytete s’e kanë dhe sa më i vogël të jetë qyteti aq më i vështirë, madje i pamundur, ngjan të menduarit dhe ndërtimi i tij, është rrëfimi për të ardhmen. Krijimi i tij kërkon një ekuilibër të ndërlikuar midis njohjes së trashëgimive historike, sfidave të së sotmes dhe mundësive për të ardhmen. Dhe, më tepër se gjithçka tjetër, njohjen e qytetit, të njerëzve të tij. Prishtinasve dhe vetë Prishtinës i duhet një kapërcim i tillë, që del nga përshkrimi I çfarë jemi e çfarë ishim, për të ravijëzuar çfarë do dhe duhet të jemi, përtej dimensioneve e kufizimeve fizike, duke krijuar kështu një diskurs më të gjerë në çështjet urbane, atë të qytetit si rrëfim trekohësh.

Prandaj, Prishtina e së ardhmes, më tepër se togfjalësh, që merr trajtën e një slogani politik, është nevojë dhe domosdoshmëri për qytetarët e saj. Për vetë ekzistencën dhe vijimësinë e të qenit qyteti më i rëndësishëm i vendit (duke synuar që të mos mbetet thjesht i tillë), në kontekste të reja dhe në transformim të vazhdueshëm, madje.

Ne duam dhe punojmë përditë që prishtinasit të ndjehen krenarë për qytetin, që është i tyre jo thjesht ngaqë jetojnë në të, por sepse ata janë bashkëkrijues të një rrëfimi të ri për Prishtinën. Është një rrugë e vështirë dhe me plot sfida, kjo që kemi nisur para gati njëmijë ditësh. Mirëpo, jemi të pamëdyshje në këtë ecje tonën përpara, së bashku me ju, ngaqë jemi të bindur se, vetëm kështu, qyteti të cilin e duam, do të bëhet qyteti të cilin do ta duan dhe qyteti i duhur për fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë.

Do ecim bashkë, drejt qytetit në të cilën 200 mijë prishtinas do të mund të arrijnë në sheshet e qytetit, pa asnjë pengesë. Bulevardi qendror i qytetit, që prej sheshit të Flamurit deri tek qyteti i vjetër, që do t’ua kthejë qytetin qytetarëve, do t’i lidhë të gjitha lagjet e qytetit. Për ta bërë të mundur këtë po punohet për mbikalimet në lagjen Arbëria dhe rrugën “Agim Ramadani”; nënkalimet në rrugën “Agim Ramadani” dhe në udhëkryqin e sheshit “Xhorxh Bush”; pasarelën e Hotelit Grand dhe riorganizimin e tërësishëm të trafikut në qytet. Këmbësorët do të jenë të parët, por as shoferët nuk do të presin më me orë në trafik.

Në epokën digjitale nuk ka arsye të humben orë të tëra duke pritur në radhë. Ecja jonë digjitale nënkupton që, për të gjitha shërbimet të cilat tani merren në komunë, do të krijohen mundësi të realizimit online. Edhe kur ato janë shumë më teknike, siç kemi bërë me platformën “e-Leja”, përmes së cilës mund të realizohet aplikimi dhe marrja e kushteve dhe lejeve ndërtimore në mënyrë krejtësisht digjitale dhe të cilës ia kemi bashkëngjitur edhe nënshkrimin digjital përmes “e-Nënshkrimi”, si dhe mundësinë e përcjelljes së krejt procesit duke përdorur “e-Përcjellja”. Po presim të na e japin lejen, që t’ua japim juve “e-Lejen”.

Kemi digjitalizuar ndërtesa të rëndësisë së veçantë historike dhe po e digjitalizojmë krejt qytetin. Që ta keni dhe ta përdorni ju – të gjithë.

Bashkë me ju kemi arritur të bëhemi qyteti mikpritës i Lojërave Olimpike Mesdhetare.

Është duke u punuar fort që, për këtë dhe të ardhmen e sportit prishtinas, të kryhet

Masterplani i Fshatit Olimpik dhe kështu Prishtina të kthehet në referencë ballkanike të sportit. Por, jo vetëm kaq. Të kulturës dhe artit, përmes projektit të Tulltores. Dhe, në një destinacion turistik, përmes ndërhyrjeve restauruese në pjesën e vjetër të qytetit.

Asnjëra nga këto nuk janë ndërmarrje të lehta. Njëmijë e një sfida e pengesa duhen kaluar. Por, politika është shërbim ndaj qytetarit. Dhe që të mund t’u shërbejmë në të sotmen, duke menduar për të ardhmen, ne nuk mund të jemi të vetëm. Për këtë kemi marrë dhe marrim ndihmë profesionale nga ata që janë shumë dhe që ju i njihni për një – si arkitekti i kryeqytetit, dhe që mblidhen të gjithë nën emërtimin Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit. Qindra njerëz punojnë në të gjitha e për të gjitha projektet që i përmenda më lart. Për një rrëfim të ri për qytetin. Për Prishtinën e së ardhmes.

Për ju!

Përfundim

Një qytet nuk është thjesht një vendndodhje gjeografike, por një rrëfim i gjallë që përfshin historinë, të tashmen dhe ëndrrat për të ardhmen. Përmes bashkëpunimit dhe vizionit të përbashkët, ne po ndërtojmë një Prishtinë që reflekton krenarinë dhe shpresat e qytetarëve të saj. Në këtë rrugëtim, roli i Arkitektit të Kryeqytetit është thelbësor, duke siguruar që transformimi urban të jetë i mirëplanifikuar dhe i qëndrueshëm. Me përkushtim dhe përpjekje të përbashkëta, ne po e kthejmë Prishtinën në një qytet që jo vetëm që plotëson nevojat e sotme, por qëndron si një model për brezat e ardhshëm. Kjo është Prishtina e së ardhmes, një qytet i ndërtuar nga dhe për qytetarët e tij.

Ju mirëpres të gjithëve ditën e premte në konferencën për Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit ku do të prezantojmë projektet dhe punët e deritashme.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme…