ARKIVI I FAMILJES SIME

30 maj 2019 | 19:21

Adem Gashi

kur më vdiq babai më 1960
unë s’isha veçse gjashtë vjeç
e një stinë

krejt çfarë na la
qe një dhimbje e madhe dhe një kutizë
një arkëz e vogël që ruhej mbi një tra

dikush ma pat falur një Abetare të vjetër
me shumë mungesa fletësh
veç zanoret qenë të gjitha
dhe një h
e mjaftë për të formuar shtatë klithma
shtatë pasthirma, ah, rit i vjetër

pastaj u rrita
aq sa për të hapur kutizën

ç’të shihja
një tapi të fshirë pronësie
një foto të babait ushtar Serbie
(s’e di në qe Serbi e Dytë a e Parë)
pastaj një letërnjoftim të Shqypnis
nën N. M. T. Viktor Emanuelin
me shqiponjën stemë vënë nën sëpatë

kapitulli i socializmit
s’kishte veçse gjoba mali fushe
dëftesa të fryra tatimi
dhe ftesa me tri vija të kuqe
me vulë prej UDB-e

lufta e fundit
e zhbëri edhe kutinë e vogël prej druri
tashti arkivi i familjes sime
s’është veçse një kujtim i portretit të babait
me shikim zhbirues ngjyrë tunxhi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E ardhmja e Sergio Ramos ka qenë temë e shumë…