“Arkivit të Kosovës do t’ia dhurojë 133 punime të figurave shqiptare”

06 qershor 2019 | 09:01

Profesori dhe hulumtuesi i 20 arkivave europiane, Eqrem Zenelaj, ka bërë të ditur se do t’ia dhurojë Arkivit Shtetëror, 133 gravura të figurave të ndryshme kombëtare.

Ai këto informacione i dha në Sytë 7 të Klan Kosovës, duke shtuar se vlera e punimeve që do të dhurohen është madhështore sepse nëpërmjet tyre do të shpaloset historia dhe kultura shqiptare.

“Në Austri kam shkuar në vitin 1995 me një mision për të hulumtuar nëpër arkivat e Europës. Qasja nëpër këto arkiva ka qenë e vështirë dhe me vetëfinancim. Disa nga arkivat më të rëndësishme që i kam hulumtuar janë: arkivi i monarkisë i Austro-Hungarisë, Venedikut, Londrës, Romës, Stambollit dhe të tjera”.

“Sa u përket shqiptarëve, vetëm arkivi i Vjenës ka material sa pesë biblioteka se ajo e Tiranës. Çdokush që është i interesuar mund të hulumtojë nëpër këto arkiva. Natyrisht se duhet pasur njohuri rreth historisë, duhet pasur një nivel akademik të përfunduar dhe duhet të kryhet pagesa. Mirëpo tani çdo gjë është më e lehtë sepse dikur një fotografi kushtonte rreth 50 euro. Ndërsa tani me avancimin e teknologjisë, një fotografi kushton vetëm 50 cent”.

“Me rastin e 2 korrikut, unë kam vendosur që ta organizojmë një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Arkivi shtetëror do behët me një ekspozitë madhështore. Sot kemi ndërmend që Arkivit Shtetëror t’ia dhurojmë 133 punime të gravuara të figurave të ndryshme kombëtare. Ndër to është gravura e Skënderbeut, Gjergj Dhimitri, Papati, Gjika, Karl Gega i cili është personi i parë që i ka projektuar hekurudhat në Austri. Është dinastia e Mehmet Aliut në Egjipt, dinastia e Ali Pashë Tepelenës, Aleksandër Mojsiut dhe figurave të tjera madhore kombëtare”, ka thënë Zenelaj.

Zenelaj ka shtuar se vlera e punimeve që do t’i dhurohen arkivit është madhështore sepse nëpërmjet tyre do të shpaloset historia dhe kultura shqiptare.  Sipas tij, në të kaluarën shqiptarët më shumë kemi punuar për të huajt sesa për veten e tyre dhe tani me këto figura mburret e tërë Europa.

“Për të hulumtuar nëpër arkiva nevojitet vullneti, por duhet pak me qenë edhe historian. Unë jam adhurues i punës në ekipe. Nëse ne bashkëpunojmë për të zbuluar historinë dhe kulturën tonë, atëherë gjithçka do të jetë më e lehtë. Mirëpo këto punë duhet të kryhen edhe me iniciativë shtetërore dhe jo vetëm individuale”.

“Së shpejti e kam ndërmend që ta publikojë librin “Historia e së drejtës shqiptare”. Pastaj kam për ta botuar librin “Lufta e Trojës”. Është interesant sepse këtu nuk fokusohemi vetëm tek vepra e Homerit; “Lufta e Trojës” është një luftë që trajtohet në kontekstin historik. Në luftën e tretë ushtarët kanë qenë shqiptarë me plisa të bardhë”, ka thënë ndër të tjera profesori Zenelaj.

.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po qëndron në Berlin në…