“Armagedoni” i dhuron libra Kolegjit AAB
Rektori i Kolegjit AAB, Lulëzim Tafa, ka pritur sot (e enjte) në takim drejtorin e Shtëpisë Botuese “Armagedoni”, Berat Armagedoni, me të cilin ka bashkëbiseduar për botimet më të reja të kësaj shtëpie botuese, po ashtu edhe për botimet më të reja të Kolegjit AAB, për mundësitë e bashkëpunimit për përkrahje të botimeve të kësaj shtëpie botuese në të ardhmen, për mundësitë për sponsorizim edhe të botimit të librit nga institucionet jopublike që ofron Ligji për sponsorizime i hartuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Gjithashtu, rektori Tafa dhe drejtori Armagedoni kanë biseduar edhe për realizimin e një marrëveshje ndërmjet Kolegjit AAB dhe Shtëpisë Botuese “Armagedoni” për lekturimin e punimeve të temave të diplomës të nivelit baçelor dhe të atyre master të studentëve të Kolegjit AAB.
Në këtë takim drejtori Armagedoni ka dhuruar për bibliotekën e Kolegjit AAB nga tre ekzemplarë të secilit titull të librit që ka botuar Shtëpia Botuese “Armagedoni” gjatë vitit 2017 të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Kështu që, nga sot në bibliotekën e këtij kolegji lexuesit mund t’i marrin për lexim dramat e dramaturgut Haqif Mulliqi dhe librin e tij studimor për dramën dhe teatrin, librin me poezi të Izet Sarajliqit, të Milazim Krasniqit, të Ragip Sylajt, të Salajdin Salihut, të Adem Gashit, të Emin Eminit, librin publicistik të Berat Armagedonit, librin me aforizma të Iljasa Salihut, romanin e Kaltrina Malokut, atë të Arif Molliqit së bashku me monografinë e tij për fshatin Llukë e Epërme, librin studimor të Ragip Gjoshit për menaxhim të institucioneve, librin për gazetarinë të Ganimet Klaiqit, numrin e parë të revistës “Akademia” e disa të tjerë.