“Armagedoni” përuroi librat e Shalës dhe të Ollurit
Sot, me fillim nga ora 11.00, në Këndin e Bibliotekës “Nju Jork” të Kolegjit AAB, e në kuadër të Panairit Vjeshtor të Librit që organizon ky institucion i marrjes dhe i dhënies së dijes, në prani të studentëve, të studiuesve, artistëve, publicistëve, gazetarëve janë përuruar dy libra të Agron Shalës, “Andrra në beze” dhe “Korça sipas një kosovari” dhe libri më i ri i Adil Ollurit, “Kthimi
i profetit”, të cilët i ka botuar shtëpia botuese “Armagedoni”.
Drejtori i shtëpisë botuese “Armagedoni”, i cili ka moderuar përurimin dhe ka folur për librat e dy autorëve, ka thënë se libri me tregime i Adil Ollurit, “Kthimi i profetit”, i cili ka dalë nga shtypi në fillim të kësaj jave, do të ngjallë polemikë sapo të lexohet sepse do të mund edhe të keqkuptohet.
Ai ka thënë se titulli i është vënë librit nga tregimi, ndoshta jo më i miri prej 18 sa janë gjithsej, por se është më i serti që gjendet brenda.
“Autori i këtij libri, ashtu si në librat e mëparshëm me tregime, ngjarjet e tregimeve dhe të personazheve po vazhdon t’i zhvillojë në Kosovë, kurse temat e tyre t’i kalojë përtej kufijve kombëtarë, duke dhënë dhe marrë dhe sjell në letërsinë shqipe prototipa të njerëzve nga religjioni, të cilët, ndër të tjera, bisedojnë me njerëz për jetën dhe për vdekjen, edhe për konceptet e trajtimit të tyre nga feja islame por, me paragjykime”.
Sipas tij, me këtë qasje të re letrare, Olluri, tregimet, për dallim nga të mëparshmit, botuar para disa vjetëve nga të tjerë botues, ka nisur t’i bëjë më joshës, më të ndjeshëm, më provokues për lexuesit sa duke gjuajtur yçkla në gojët dhe veprimet e personazheve komikë dhe tragjikë, po aq duke ngrehur në majë të gjuhës dhe të veprimeve të tyre ironinë dhe sarkazmin, në pak raste edhe groteskun dhe alegorinë dhe duke mbushur gjuhën shqipe dhe të personazheve me ajete kuranore e me duva.
Gjatë prezantimit të librit të Ollurit botuesi ka veçuar disa veçori të tregimeve dhe disa prej temave e motiveve të tregimeve. Së këndejmi, ai ka thënë se në 18 tregimet e tij, ani pse personazhet janë të ndryshëm e rrëfyesi është një i vetëm që rrëfen kryesisht në vetën e tretë, në disa raste në të parën, duket sikur aty është vetëm një personazh e një narrator që shtegton nga njëri tregim në tjetrin, që hap tema me të njëjtën gjuhë bisedore e me fakte historike e që herë provokon pak e herë shumë, fenë islame, shtetin, pushtetin, të korruptuarit, kriminelët.
“Për fund, duke bërë një vëzhgim stilistik, shohim se në tregimet e Ollurit ende janë të pranishme dhe shumë të përdorshme paradoksi, alegoria, ironia, kundërthënia dhe kundërvënia e elementet fantazmagonike, kurse duket se ka hequr dorë nga fjalëformimi i kompozitave, nga fjalitë e gjata dhe i ka kushtuar kujdes më të madh shkrimit të gjuhës shqipe”, ka thënë Armagedoni.
Ndërsa autori i librit “Kthimi i profetit”, Adil Olluri, tregoi se qëllimi primar i këtij libri ishte që ta krijonte një personazh të profetit i cili ishte më shumë sofist. “Qëllimi im primar ishte që ta krijoj një personazh të profetit që është më shumë sofist sesa të profetit i cili njihet dhe na jep religjioni islam. Edhe në fillim të tregimit kam shkruar se ky nuk është profeti që e gjeta mes jush, por e solla unë tek ju”, është shprehur Olluri, duke shtuar se në shumicën e rasteve tregimet e tij kanë lindur në mënyrë spontane gjatë procesit të të shkruarit. “Shumë tregime në këtë libër kanë lindur spontanisht, gjatë procesit të të shkruarit. Shpeshherë ka ndodhur që, duke e shkruar një tregim, të më lindë ideja për një tregim tjetër”, u shpreh autori Olluri.
Armagedoni ka përuruar edhe dy librat e Agron Shalës, “Andrra në beze” (2018) dhe “Korça sipas një kosovari” (2019), për të cilët kritikët letrarë, regjisorët, dramaturgët, artistët, që me rastin e botimit të tyre, kanë shprehur fjalë miradije.
Armagedoni ka bërë me dije se “Andrra në beze” është një libër me ese dhe me analiza për kulturën, veçan për filma dhe për muzikë. “Ia nis të lexosh për filma e autori të shëtitë edhe në llojet e tjera të artit të kinematografisë dhe të letërsisë e të muzikës, duke paraqitur ndërlidhjen e arteve, raportet e tyre e bërjen bashkë në një lloj. Esetë e këtij libri janë argumentuese. Kanë edhe poshtëshënime, kanë edhe shumë shpjegime për data dhe personalitete të kinematografisë, të letërsisë, të muzikës, të dramës. ‘Andrra në beze’ është një libër i mbushur me informacione të llojllojshme e të sakta, të verifikuara nga librat shkencorë, publicistikë dhe memoaristikë, për kulturën dhe njerëzit që e prodhuan atë dhe që lanë gjurmë të pashlyeshme në mendjen njerëzore dhe në arkivat e institucioneve”, ka thënë Armagedoni për librin “Andrra në beze”, kurse për librin tjetër “Korça sipas një kosovari” ka thënë se ky është “një reportazh i gjatë, për njërin prej qyteteve më të bukura e më të kulturuara e të çmuara të Shqipërisë, për nismëtaren e arsimit shqip, Korçën e Naimit e të rilindësve të tjerë, e cila u la mbresa të shumta edhe vizitorëve anglezë, francezë, austriakë e kujt jo tjetër që e pati vizituar në vitet 1800 e 1900, saqë edhe e quajtën kryeqyteti i kulturës shqiptare. Unë nuk kam vajtur asnjëherë në Korçë por, shpresoj se do të shkoj një ditë atje, me Bedriun dhe Agronin e ndonjë tjetër. Megjithatë, pa këtë guidë të Agronit për Korçën, pa përshtypjen e tij për qytetin e fshatrat e saj, pa i njohur ata miq të tij atje, s’do të doja të merrja rrugë asnjëherë. Jo, sepse, me këtë libër të Agronit për Korçën miqësohesh më lehtë me qytetarët e saj, edhe me ambientin e saj, edhe me natyrën e saj, edhe me objektet e saj. Nuk ka gjë që i mungon këtij libri. Ka fjalë të zgjedhura, ka rrëfime të vjetra, ka persona simpatikë e të dashur, ka fotografi të rralla e të vjetra. Ka një behane: veç që nuk flet”.
Për dy librat e vet ka folur edhe autori i tyre, Agron Shala. “Jam munduar që problematikën, realitetin tonë shqiptar, jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe në aspektin politik dhe sociologjik, ta ndërthur me shembuj nga e gjithë bota. Si pikënisje e kam marrë filmin. Dhe këtu janë 20 ese që si pikënisje i kanë 20 filma. Ndërsa ‘Korça sipas një kosovari’ është, sikurse tha botuesi, një guidë për këtë qytet, një tip monografie për Korçën”, ka thënë Shala, duke veçuar se kosovarët me qytetarët e Korçës i bashkojnë më së shumti problemet politike.
Panairi Vjeshtor i Librit në Kolegjin AAB do të jetë i hapur edhe nesër (e shtunë) deri në orën 17.00, ndërsa të gjitha shtëpitë botuese pjesëmarrëse kanë ofruar zbritje në libra prej 20 deri në 70 për qind.