Armagedoni: Veprimtaria shkencore dhe artistike e Qosjes do të frymojnë përjetë
Studiuesi, romansieri, dramaturgu, kritiku, publicisti, eseisti, hartuesi i antologjive, veprimtari i shumanshëm, më i njohuri dhe zëmadhi i Kosovës, akademik Rexhep Qosja, sot shënon ditëlindjen e 85-të. Pjesën më të madhe të kësaj jete e ka shpenzuar duke shkruar dhe studiuar letërsinë shqipe dhe botërore në zyrën e vet në Institutin Albanologjik në Prishtinë. Kohë të gjatë librave dhe veprave të letërsisë shqipe ua ka mbajtur thikën mbi shpinë nëpërmjet shkrimeve kritike. Më shumë është urryer kur e ka folur të vërtetën sesa që është përkrahur kur e ka thënë të vërtetën. Librat e tij janë blerë, janë dhuruar dhe janë lexuar më shumë tinëz sesa ashiqare. Pa asnjë dyshim është shkrimtari më i mirë në Kosovë dhe studiuesi më i madh në gjithë hartën e shqiptarëve. Këtë veprimtari të madhe dhe të shumanshme e ka të regjistruar në dhjetëra libra që janë mjaft të njohura nga shqipfolësit, por jo edhe nga të huajt. Rexhep Qosjes i ka munguar kohë të gjatë, edhe pse mundësitë i kishte, sepse rreth tri mandate ishte drejtor i Institutit Albanologjik dhe ishte studiuesi, kritiku dhe shkrimtari më i mirë dhe i madh që me rastin e publikimit të shkrimeve dhe veprave të para, përkthimi i shkrimeve dhe veprave të tij në gjuhë të huaja. Qosja do të duhej të njihej në gjithë botën po aq sa njihet sot Kadare. Për këtë lloj izolimi brenda kufijve shqiptarë të tij, fajet i kanë botuesit e tij (disa të shuar) dhe përkthyesit që kanë përkthyer gjithçka e jo çfarë do të duhej të përkthenin. Qosja një ditë, si shumë e shumë shkrimtarë të mëdhenj botërorë, do t’i mbyllë sytë dhe do ta ndalë frymëmarrjen, por veprimtaria e tij shkencore dhe artistike do të frymojnë përjetë.