Armando Duka: Vokrri, futbollisti më i madh i të gjitha kohërave
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka përkujtuar sot figurën, jetën dhe veprën e ish-futbollistit të njohur të Kosovës, së fundi kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, i cili ndërroi jetë të premten.
Në fjalën e tij presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, e cilësoi Vokrrin si futbollistin më të madh të të gjitha kohërave.
“Vokrri është futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Figura e tij i ka kapërcyer trevat. Ka luajtur futboll në Kosovë, Jugosllavi e nivele edhe më të larta. Dhe po të kishte mundësi do të arrinte më shumë”, është shprehur Duka.
Ai shtoi se Vokrri kontribuuar shumë në konsolidimin dhe njohjen e Kosovës.
“Fadili nuk ishte diplomat, atë që mendonte ta thoshte troç. Një burrë i vërtetë, një njeri i vlerave të kombit shqiptar. Me vjen keq që duhet të ndahemi, por me krenari do të them që kam qenë mik i Fadil Vokrrit. U prefsh ne paqe miku im Fadil”, ka thënë Duka.
/Epoka e re/