Armatimi që u gjet dje në Banjskë ishte fshehur në banjon e hotelit
Policia e Kosovës, të premten ka zhvilluar një kontroll shtesë në hotelin “Rajska Banjskë” në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku janë gjetur armë e pajisje ushtarake.
Siç njoftoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin verior, Veton Elshani, u gjetën dy jelekë antiplumb, një armë AK-47, tetë karikatorë me fishekë dhe disa pajisje të tjera ushtarake.
Ai tha se këto prova materiale janë aty që nga sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë.
Ndërkohë sipas një njoftimi nga Policia, bëhet e ditur se armatimi dhje pajisjet ushtarake ishin fshehur në banjon e hotelit.
“Njësiti i hetuesisë gjatë kontrollit në banjon e një hoteli ka gjetur dhe konfiskuar: një AK-47, katër karikatorë, 103 fishekë kalibrash të ndryshëm, kapelë, bluza dhe pantallona ushtarakë, një thikë, shallë ushtarake, antiplumb me pajisje tjera. Rasti duke u hetuar”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se kompleksi “Rajska Banja” në dhjetor të viti të kaluar është marrë nën kontroll nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Në hapësirat e këtij kompleksi, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur më 24 shtator, dy persona ishin arrestuar, por më pas ishin liruar nga autoritetet.