Armë, fishekë, kompjutera e USB – Krejt çka u konfiskua sot në ministrinë e Liburn Aliut
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës sot është zhvilluar një aksion në MMPHI, në Prishtinë, aksion ky, i cili është bërë pas zhvillimit të hetimeve disamujore.
Gjatë këtij aksioni, hetuesit eSektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës kanë realizuar arrestimin e një personi të dyshuar, kurse i dyshuari tjetër nuk është gjetur në vendbanim e tij.
I arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.F. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:
- Një revole e tipit MAUSER-WERKR me dy karikatorë me nga shtatë fishekë, dhe një kuti me 54 fishekë 9 mm.
- 34 fletë dokumente të ndryshme.
- Tre telefona, një iPhone 15 ProMax, një iPhone 12 ProMax, një iPhone 11 ProMax
- 17 USB.
- Tre laptopë HP.
- Katër shtëpiza kompjuteri si dhe
- Dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore.
Gjithashtu është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
Me aktvendim të Prokurorit nga PSRK-ja, i dyshuari me inicialet I.B. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.