Armë, para, vetura dhe drogë – Policia jep detaje për aksionin kundër fajdexhinjve
Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës ka zhvilluar sot aksion kundër fajdes, që rezultoi me arrestimin e katër personave. Bastisjet u kryen në katër lokacione, ku u gjetën edhe prova të ndryshme.
Policia ka njoftuar se gjatë kontrolleve që janë kryer në lokacionet që ishin cak në kryeqytet, janë prangosur të dyshuarit dhe janë sekuestruar armë, para, dokumente, vetura, bimë narkotike etj.
Në njoftim po ashtu është bërë e ditur se të arrestuarit dyshohen për veprat ‘Fajde’ dhe ‘Detyrim’.
Njoftimi i plotë:
Policia vazhdon luftën kundër fajdeve
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, sot me datë 19.07.2024 ka realizuar një operacion policor në luftën kundër veprave penale Fajde dhe Detyrim.
Gjatë hetimit të këtij rasti janë arrestuar katër persona të dyshuar, janë kryer kontrolle si dhe janë gjetur e sekuestruar prova të ndryshme materiale.
Kontrollet janë kryer në katër lokacione të ndryshme në komunën e Prishtinës, me ç’rast janë sekuestruar dëshmi të ndryshme materiale si: armë, para, dokumente, vetura, bimë narkotike etj.
Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.