Armend Bekaj: Autorët britanik e glorifikojnë Thaçin në libër
Analisti, Armend Bekaj është përfshirë në debatin e librit e gazetarëve britanikë, Roger Boyes dhe Suzy Jagger, me titullin “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography”.
Ai ka shkruar se për Kosovën është shkruar shumë nga autorë të huaj që mund të jenë gjithçka tjetër por jo edhe “ekspertë” të rajonit.
Sipas tij, të paktë janë ata që posedojnë njohuri të bollshme për rajonin për të shkruar me kredibilitet për politikën, kulturën e historinë e tij dhe për t’i qëndruar besnik të vërtetës.
Bekaj ka shkruar se shkrimtarë, akademikë, doktorantë, gazetarë, hulumtues OJQ-sh nga më të ndryshmet kanë bërë karriera duke proklamuar narrativa të llojllojshme për Kosovën dhe Ballkanin, secili me një të vërtetë më tendencioze se tjetri.
Ai ka thënë se kryesisht, artikujt dhe librat që janë shkruar për Kosovën mund të ndahen në dy grupe: ato të cilat qartazi janë të motivuara nga paragjykimet dhe një injorancë e theksuar për kulturën e popullit të Kosovës, dhe të cilat rezultojnë të japin tablo të shfytyruara të historikut të tij.
“Në to, UÇK-ja dhe lufta në Kosovë vrojtohen me skepticizëm, për të mos thënë armiqësi. Në përgjithësi proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, bashkë me pavarësinë, paraqiten si një anomali që nuk do të duhej të ndodhte. Në grupin tjetër janë ata autorë të huaj të cilët qartazi tregojnë një simpati për kauzën dhe aspiratat e popullit shqiptar në Kosovë, rezistencën paqësore të tij, pastaj luftën e UÇK-së dhe çdo gjë që pasoi deri në pavarësi e pas saj”, ka shkruar ai.
Sipas Bekajt, problemi kryesor me këtë grup autorësh është njëanshmëria e tyre, si dhe një tendencë për të zbukuruar ngjarjet e për të lartësuar figurat publike të saj, sidomos luftën dhe udhëheqësit e saj.
“Duket se në këtë kategori të dytë hyjnë edhe autorët e lartshënuar me biografinë për Hashim Thaçin. E vërteta – pak a shumë Parathënia është e shkruar nga ish-senatori Bob Dole. Kjo duket impresive kur kemi parasysh se Dole ka qenë një nga përkrahësit kryesorë të rezistencës shqiptare në Kosovë. “Rrugëtimi i Thaçit është rrugëtimi i Kosovës”, thotë ai. N
ë një anë, e kuptueshme kjo thënie, por në anën tjetër edhe klaustrofobike të mendosh se si shtet, si popull, fati yt dhe ardhmëria jote janë përherë të lidhur me atë të një individi, kushdo qoftë ai. “Kosova ka pasur një rrugëtim të jashtëzakonshëm”, vazhdon Dole, “dhe një njeri me rol kyç në zhvillimin e këtij bastioni të demokracisë në Ballkan është presidenti Hashim Thaçi””, shkruan më tej Bekaj.
Ai ka thënë se nuk bën që t’ia zëmë për të madhe ish-senatorit të nderuar, por t’i referohesh Kosovës si bastion demokracie, në kohën kur ende orvatemi të shkëputemi nga tendencat e një qeverisjeje autokratike, është qesharake..
“Autorët fillojnë biografinë me glorifikim marramendës të heroit të librit. “Thaçi ka drejtuar Kosovën nga të qenit një koloni e shtypur nën thundrën e një prej diktatorëve më të egër të Evropës, në një demokraci shkëlqimtare”. Janë disa shtresa ekzagjerimesh në këtë fjali: së pari, Kosova fatkeqësisht është larg të qenit demokraci që t’i merr sytë nga shkëlqimi. Së dyti, centralizimi i meritave në një person të vetëm, duke mos përmendur kontributin e figurave tjera udhëheqëse, nuk i bën nder as protagonistit e as të vërtetës”, shkuan ai.
Sipas tij, është e qartë se fokusi i librit do të bie mbi një person të vetëm (është biografi!), por kur njerëzit rreth tij nuk përmenden për rolin e tyre në luftë dhe pas saj, atëherë e vërteta duket e cunguar dhe mbase edhe e manipuluar.
Përgjatë gjithë librit sipas tij vërehet një tendencë e qartë e autorëve që, për shembull, të minimizojnë figurën dhe rolin e Ibrahim Rugovës, i portretizuar këtu si rivali kryesor i Thaçit, i dërrmuar e i nënshtruar nga frika e pasiguria për të vepruar.
Ai ka shkruar se Thaçi, në anën tjetër, është djaloshi që do ta shkundte popullin nga amullia mbytëse duke qenë i bindur se Sllobodan Millosheviqi kuptonte vetëm gjuhën e armëve.
“Pikërisht kjo është edhe një nga pikat e dobëta të biografisë: një tendencë për të hedhur baltë mbi gjithë lëvizjen paqësore vetëm e vetëm për të lartësuar Thaçin dhe, bashkë me të, edhe UÇK-në si projekt pothuaj personal i tij. Ky është një kurth në të cilin, me apo pa vetëdije, kanë rënë edhe shumë autorë tjerë, të cilët nuk shohin se në esencë edhe lëvizja paqësore, por edhe rezistenca e armatosur, kanë luajtur rol vendimtar për çlirimin e Kosovës”, ka shtuar ai.
Bekaj analizon edhe fotografinë nga ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambouillet, e cila e tregon Thaçin dhe Rugovën të ulur në tavolinë, por lë jashtë saj Rexhep Qosjen dhe Veton Surroin, të cilët ishin bashkënënshkrues të atij dokumenti.
“Përmenden, dhe atë kalimthi, vetëm ata njerëz të cilët vazhdojnë të kenë raporte të afërta me të, si Kadri Veseli e Xhavit Haliti. Marrëdhëniet e Thaçit me Adem Jasharin përshkruhen si tejet të ngrohta dhe vëllazërore. Të jepet përshtypja se përderisa Adem Jashari ishte ideatori i rezistencës së armatosur, Hashim Thaçi ishte protezheu i tij, në supet e të cilit kishte rënë barra e krijimit të një ushtrie të tërë prej zeros”, shkuan ai.
Sipas tij, kur flitet për episode të caktuara historike, është evidente se si autorët mbështeten në perfiditetin e gjuhës angleze për t’i bërë bisht të vërtetës së plotë, apo për të folur në mes rreshtash dhe në gjuhë diplomatike.
“Derisa flet për Rambouillet, Thaçi deklaron: “Delegacioni më nominoi për të udhëhequr bisedimet”. E vërtetë, por po ashtu është e vërtetë se ky nominim erdhi tek pas një periudhe tensionimi të marrëdhënieve ndërmjet LDK-së dhe Rugovës, dhe UÇK-së. Në fund ky nominim më shumë dukej si imponim për shkak të rrethanave në terren ku forca e armëve kishte heshtur rezistencën paqësore. Shihet se autorët janë larg të qenit ekspertë të rajonit, e aq më pak të kenë njohuri të thella të raporteve socio-politike brenda Kosovës dhe më gjerë në rajon. Për të kompensuar këtë mungesë njohurish, autorët mbështeten në përdorimin e një arsenali ekzotik fjalësh nga fushat e marrëdhënieve ndërkombëtare, siguria kombëtare, historia, antropologjia etj. Në fund, mbesim me një tekst që nuk është se i takon një zhanri të caktuar, përveç një gazetarie me sajime të herëpashershme hiperbolizuese”, ka shkruaj më tej Bekaj.
Sa i përket krahasimeve që i bëhen Thaçit me figura të tjera (Churchill, de Gaulle, Mandela, Havel), është jashtëzakonisht e vështirë Bekajt, për të mos thënë e pamundshme, që kjo të bëhet në dy-tri faqe të librit.
Këto krahasime sipas tij më shumë duket se bëhen për konsumim afatshkurtë politik, sesa që kanë të bëjnë me një analizë të mirëfilltë.
“Për shembull, është e vërtetë se Mandela ishte gjithashtu udhëheqës i një krahu ushtarak – atij të Kongresit Kombëtar Afrikan (“African National Congress”) – por ai po ashtu i kaloi gati 30 vjet në burgje të aparteidit jugafrikan. Në këtë aspekt, ndoshta ngjashmëria është më e përafërt me Adem Demaçin. Apo Vaclav Haveli i Çekosllovakisë dhe disidenca e tij paqësore, që duket më e ngjashme me atë të Ibrahim Rugovës. Me fjalë tjera, nuk është që nuk ka krahasime me Thaçin, por ato nuk janë determinuese për peshën dhe rolin historik të tij në kontekstin e Kosovës. Por një gjë duket e sigurt: Thaçi nuk dëshiron të krahasohet me Gerry Adams, ish-komandantin misterioz dhe liderin politik të IRA-s së Irlandës Veriore. ‘UÇK-ja kurrë nuk ka qenë si IRA’”, shkruan ai.
Kjo u bë e qartë në sipas Bekajt, në momentin kur republikanët filluan fushatën e bombardimeve në Angli. Ne kurrë nuk do të vepronim si terroristë në Serbi – ne vepronim brenda Kosovës dhe kundër një ushtrie okupuese».
“Kjo duket të ketë qenë e vërtetë. Nuk ishte e rastësishme që luftimet bëheshin brenda Kosovës dhe nuk kishte sulme në Serbi, pasi që kjo ishte praktikë e vetëdijshme e udhëheqësisë së UÇK-së. Autorët nuk përtojnë të përdorin edhe gjuhë ekzotike për rrethanat në të cilat u ngrit rezistenca e armatosur. Përshkrim plot glamur për luftën e aktivitetet klandestine të Thaçit, saqë lexuesit i mbetet pikë që nuk ka qenë i pranishëm. Por lufta, e bashkë me të edhe aktivitetet e protagonistit të librit, nuk ishin film hollivudian”, shkruan ai.
Bekaj shkruan se për popullin që e përjetoi atë në lëkurën e vet, ajo ishte e rëndë si shkëmbi. Po ashtu, në të morën pjesë, apo u afektuan, të gjithë në njëfarë mënyre.
“Por libri është përplot me shprehje personalizuese mbi luftën dhe proceset e fundit politike. ‘Lufta e tij për pavarësi’. Apo ‘dy muaj para se të zgjedhej president nga Kuvendi, Thaçi tha se konsideronte që ta ndërrojë Kushtetutën e vendit në mënyrë që të kandidojë për president për herë të dytë – por këtë herë i zgjedhur nga populli’. Apo para së gjithash, Thaçi do të kujtohet […] si njeriu që e bindi aleancën më të fuqishme të botës që ta ndihmojë ushtrinë e tij të lodhur”, vazhdon ai më tej.