Armend Muja emërohet rektor i Kolegjit Riinvest
Bordi Drejtues i Kolegjit Riinvest, bazuar në kompetencat e tij, ka emëruar Armend Mujën rektor të këtij institucioni.
Muja pason Bardha Qirezin e cila ka mbaruar mandatin në maj 2020.
Në njoftimin për media të këtij institucioni, theksohet se Bordi i Kolegjit Riinvest shpreh bindjen se Muja ka vizionin, përvojën dhe përkushtimin për të avancuar vlerat dhe ofertën arsimore të kolegjit si institucion elitar në arsimin e lartë në Kosovë.
Me rastin e emërimit, Muja u shpreh i entuziazmuar me arritjet e Kolegji Riinvest.
“Kolegji Riinvest është institucioni më prestigjioz në arsimin e lartë, i validuar si qendër rajonale e ofrimit të programeve të Universitetit të Londrës, me kuadro të përgatitura dhe studentë me influencë në Kosovë. Gjithmonë kam admiruar qasjen në studime, përvojën ndërkombëtare dhe kërkimin shkencor në Kolegjin Riinvest. Stafi i institucionit është krenar për arritjet por edhe i gatshëm për të avancuar dhe zgjeruar ofertën në arsimin e lartë. Jam i nderuar të jem pjesë e komunitetit të stafit dhe studentëve të Kolegjit Riinvest”, ka thënë ai.
(M.Q / Epoka e re)