Armend Thaqi, ‘Ylli i Javës’ në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) së bashku me sponsorin e Superligës, “Albi Mall” vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës” pas çdo xhiroje.
Çmimi i më të mirit për javën e 11-të i ka takuar futbollistit të Ballkanit, Armend Thaqi.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Rifat Nasufi (KFV KEK-u), Isuf Llumnica (KFV Kosova P) dhe Shyqeri Salihu (KFV Lipjani).
Armend Q. Thaqi është vlerësuar si bartës i lojës së kampionëve në ndeshjen kundër Drenicës dhe si më i merituari që skuadra e tij i është shmangur humbjes në Skenderaj. Thaqi, i cili po kalon në formë të shkëlqyeshme, ka realizuar golin e barazimit në minutën e 81-të.
Çmimi “Ylli i Javës” për Armend Thaqin e ka ndarë Blerta Gashi, menaxhere e financave në “Albi Online”.
Thaqi, i cili me paraqitjet e tij ka shkëlqyer edhe në Conference League, ka shprehur besimin se në javët në vazhdim skuadra e tij do t’i radhisë fitoret dhe do të jetë sërish në kreun e tabelës.
“Ky çmim për mua është i rëndësisë së lartë, sepse Superliga e Kosovës është gara në të cilën unë jam rritur dhe jam zhvilluar si lojtar, dhe çdoherë kur shpërblehem për ndeshjet në këtë ligë për mua është kënaqësi e veçantë. Ballkani edhe këtë vit po tregon që është ekip i kompletuar dhe i konsoliduar, me synime të qarta që të jemi kampion sërish. Krahas kësaj për mua dhe për bashkëlojtarët e mi është nder që po e përfaqësojmë Kosovën dhe futbollin e saj denjësisht edhe në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Armend Thaqi për faqen zyrtare të FFK-së.