Armend Thaqi, ‘Ylli i javës’ në Superligë
Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i javës”. Ky çmim, për javën e 17-të në Albi Mall Superligë, i është ndarë futbollistit të SC Gjilanit, Armend Thaqi.
Vlerësimi për më të mirin e javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Lulzim Berishës, Enver Prapashticës dhe Berat Berishës. Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e shtatëmbëdhjetë t’i takojë Armend Thaqit, i cili ishte heroi i Skifterave me golin e vetëm në ndeshje, duke mposhtur rivalin e qytetit, FC Dritën, me rezultat 1:0 dhe duke arkëtuar 3 pikë të rëndësishme për skuadrën e tij.
Pasi mori këtë çmim, Thaqi u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës:
“Po, tradicionalisht dihet që është derbi, një nga më të mëdhenjtë në rajonin tonë. Është një ndeshje që çdo futbollist do të donte ta luante, pasi është ajo që të bën të ndihesh futbollist. Fitimi i tij sjell shumë benefite, përfshirë rikthimin e besimit në skuadër. Edhe pse ishim në një moment të vështirë në tabelë dhe bëmë disa gabime, fitoreja na solli tri pikë të rëndësishme që na kthyen qetësinë dhe atmosferën pozitive. Kur fiton derbin, jo vetëm që mposht rivalin në tabelë, por gjithashtu fiton rivalitetin e qytetit, që është një motiv i jashtëzakonshëm për ndeshjen e ardhshme”.
“Kjo fitore na jep besim për ndeshjet që na presin dhe për sezonin pranveror. Klubi ka bërë investime të mëdha dhe ne jemi të motivuar të arrijmë një vend në garat evropiane, që do të ishte një objektiv shumë i merituar. Për mua, ky çmim individual është shumë i rëndësishëm, por nuk është vetëm meritë e imja. Ky është një çmim që ia dedikoj trajnerit Ardian Nuhiu dhe të gjithë futbollistëve, pasi ky sukses është rezultat i angazhimit të gjithsecilit”, ka deklaruar Thaqi për faqen zyrtare të FFK-së.