Armeni-Azerbajxhan, lufta në kryqëzimin e Gazit në Karabakh!
Shkruan: Anisa Bahiti –
Ditën e djeshme të gjitha agjencitë e lajmeve botërore njoftuan se në Nagorni Karabakh, në kufirin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit kishin rifilluar incidentet ushtarake.
Gjatë ditës ato u intensifikuan. U shkatërruan mjaft mjete ushtarake dhe u regjistruan mbi 25 viktima.Në mbrëmje të dy vendet kishin shpallur gjendjen e luftës dhe zyrtarisht gjendeshin në luftë. Shumë e thjeshtë për të besuar që ishin vetëm disa incidente. Të fundit të tilla ishin ato të 12 korrikut të cilat përfunduan edhe një herë me armë-pushim. Të dyja vendet së bashku me Gjeorgjinë 150 vjet më parë ishin pjesë e Federatës Transkaukaziane.
Pas Luftës së Parë ato u përfshinë në Konfederatën e madhe sovjetike për tu bërë provinca të largëta të Moskës si republika të Bashkimit të madh Sovjetik.
Në Luftën e Dytë botërore armenët e krishterë të cilët kishin pasur 1 milionë viktima në fundin e perandorisë osmane, shikonin Gjermaninë hitleriane si shpresë për të shpëtuar nga dominimi turko-azer i rajonit, u bënë aleate me Gjermaninë në Stalingrad, ndërkohe fronti gjermano- sovjetik mbërriti deri 60 km, nga Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit. 400 mijë azerë u vranë në Luftën e Dytë Botërore në Ushtrinë e Kuqe kundër Gjermanisë, shumica e tyre në frontin jugor dhe në rrethimin e Stalingradit.
Me fitoren e Luftës së Dytë Botërore, Stalini, i cili ishte Gjeorgjan dhe i njihte po ashtu mirë të dyja palët, vendos që një pjesë të madhe të Armenisë, rajonin malor të Naghorni Kharabakhut, t ‘ja kalojë Azerbajxhanit. Praktikisht ai përbën 15% të Aezrbajxhanit të sotëm dhe Nakchivanin, rajonin e ndarë azer në kufi me Iranin, Turqinë dhe Armeninë ta konsiderojë autonom.
Më tej, në vitin 1988, ndërsa Bashkimi Sovjetik fillojë të bjerë dalëngadalë së brendshmi nga problemet ekonomike, armenet e Azerbajxhanit ngritën krye dhe kërkonin pavarësinë e tyre dhe Bashkimin me Armeninë.
Me shpërbërjen Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, dy republikat u pavarësuan dhe njëherësh filluan luftën për kontrollin e Naghorni Karabhakut. Lufta përfundoi në vitin 1999. Naghorni Karabakhu u vetëshpall Republikë pas fitores ushtarake të Armenisë me përkrahjen e Rusisë, në fakt është një territor mirëfilltë nën kontrollin e Armenisë.
Azerbajxhani humbi 16% të territorit të vet por nuk e ka deklaruar kurrë të humbur, duke u përgatitur gjithnjë ushtarakisht për një rikthim ushtarak atje. Ndërkohë Rajoni i Kaukazit rimerr gjithnjë e më shumë rëndësinë e dikurshme historike dhe gjeopolitike.
Që nga koha e Hitlerit, që kërkonte burimet energjitike të Kaukazit, përveç naftës, është shtuar edhe Gazi. Fushat e Gazit të Shah Denizit si dhe rrugëkalimet e gazit dhe të naftës, Baku-Tbilisi-Cehyan si dhe Baku-Tbilisi-Erzurum, së bashku me korridorin energjitik jugor të Europës TAP që kalon edhe nga Shqipëria, përbëjnë nyjet kryesore energjitike të Euroazisë.
Të gjitha palët e dinë mirë këtë; Armenia, e cila është tërësisht e armatosur dhe e stërvitur nga Rusia dhe gëzon mbështetjen e një pjese të vendeve perëndimore për shkak të qenit katolikë të Kishës armene, nuk ka burime gazi dhe nafte, por ajo e di mirë që Naghorni-Kharabaku është rrugë kalimi kryesor i tyre.
Azerbajxhani, që është i pasur me burime energjetike, është nën shantazh të përhershëm nga Rusia e madhe e cila është aleate e Armenisë, por dhe fqinji verior i Azerëve. Azerët ndjejnë aleat vetëm Turqinë e Erdoganit me të cilët kanë lidhje historike. Por azerët janë shiitë dhe jo synitë, ndaj popullsia është më e afërt me Iranin të cilin e ka fqinje dhe ka kufirin më të gjatë tokësor dhe detar.
Në Iran jetojnë dhe një numër shumë i madh azerësh etnike iranianë. Azerbajxhani është gjithashtu e vetmja nyje lidhëse tokësore mes Rusisë dhe Iranit.
Azerbajxhani është anëtar i Partneritetit për Paqe të NATO që në vitin 1994, por Rusia një zgjerim të NATO-s në kufijtë e saj jugorë me Gjeorgjinë dhe Azerët nuk do ta lejojë kurrë.
Turqia e fuqishme, jo vetëm që nuk rri duarkryq, por është aleati kryesor ushtarak i Azerbajxhanit duke e pajisur atë me armatime dhe teknologji ushtarake të NATO-s.
Së fundmi edhe Izraeli e ka furnizuar Azerbajxhanin me teknologji ushtarake. Duket sikur përplasja e fuqive rajonale të Mesdheut është zhvendosur në Kaukaz, aty dhe ku janë burimet kryesore energjitike.
BE ka rol fare periferik në këtë konflikt. Edhe SHBA e vështron nga larg konfliktin. E vetmja tryezë, ku janë ulur diplomatikisht së bashku me Francën e Rusinë, është Nisma e Mnisk për paqen në Naghorni-Karabak.
Roli i Turqisë me këtë konflikt bëhet vendimtar, jo vetëm për fatet e konfliktit, por sidomos për kryqëzimin energjitik të këtij konflikti.
Ndërkohë le të shpresojmë që konflikti të përfundojë sa më shpejt, ndryshe TAP nuk do të fillonte kurrë të transportonte gaz, e kushedi ndoshta ky mund të jetë dhe qëllimi i kësaj lufte, në një konflikt të ngrirë kaq të gjatë.