Armeni: Dhjetëra mijëra persona protestojnë kundër kryeministrit të ri
Dhjetëra mijëra persona po protestojnë në qendër të kryqytetit armen, Jerevan, pasi Parlamenti zgjodhi Serzh Sarkisian në postin e kryeministrit.
Protestuesit kanë bllokuar qasjen në ndërtesat qeveritare në Jerevan.
Mediat lokale raportojnë se protesta janë duke u mbajtur edhe në qytetet Gyumri dhe Vandazor.
Sot, Parlamenti armen me 76 vota për dhe 17 kundër dhe asnjë abstenim, zgjodhi Sarkisian në postin e kryeminsitrit, vetëm tetë ditë pasi ai përfundoi mandatin e dytë si president.
Lideri i protestës, Nikol Pashinian ka njoftuar për atë që ai e quajti nisjen e “revolucionit paqësor të popullit” në Armeni, duke iu thënë protestuesve në Jerevan se “Sarkisian nuk ka legjitimitet dhe ka fituar urrejtjen e armenëve”.
Më 2015, në një referendum, Armenia ka ndryshuar sistemin politik, nga ai presidencial në atë parlamentar.
Kjo lëvizje është parë si formë që Sarkisian të qëndrojë në pushtet edhe pas dy mandateve presidenciale.
Ndërkaq, autoritetet kanë paralajmëruar protestuesit se do të ndërhyjnë në protesta, pasi ata po bllokojnë rrugët, duke iu pamundësuar qytetarëve lëvizjen e lirë.
Më herët gjatë ditës është njoftuar se dhjetëra protestues janë arrestuar.