Armenia i kthen Azerbajxhanit katër fshatra kufitare
Armenia ia ka kthyer Azerbajxhanit katër fshatra kufitare, të cilat i kishte marrë nën kontroll dekada më parë. Ky njoftim, që u konfirmua nga Armenia më 24 maj, shihet si një hap kyç drejt normalizimit të raporteve mes dy rivalëve të kamotshëm.
Dy shtetet e Kaukazit kanë zhvilluar dy luftëra, në vitet ’90 dhe më 2020, për kontrollin e rajonit të shkëputur të Nagrono-Karabakut.’
Vitin e kaluar, Azerbajxhani e rimori këtë rajon përmes një ofensive të shpejtë, duke i dhënë fund sundimit prej tri dekadash nga armenët etnikë dhe duke bërë që më shumë se 100.000 banorë lokalë të largoheshin për në Armeni.
Humbja e Jerevanit nxiti mosmarrëveshje me aleaten historike, Rusinë, të cilën Armenia e akuzoi se ka dështuar që ta mbrojë nga kërcënimet e Azerbajxhanit, pavarësisht obligimeve të Moskës që dalin nga një traktat i sigurisë.
Pas muajsh të tensioneve diplomatike, Moska më 24 maj njoftoi se kishte thirrur ambasadorin e saj “për konsultime”. Ministria e Jashtme ruse nuk dha detaje për këtë vendim, i cili në diplomaci shihet si hap ekstrem që ndërmerret në rast kur dy shtete përkeqësojnë raportet.
Forcat e sigurisë të Armenisë njoftuan më 24 maj se rojet kufitare kanë zënë pozicione të reja në lindje të shtetit, duke respektuar marrëveshjen e arritur për demarkimin e kufirit, që përfshin dorëzimin e kontrollit tek autoritetet azerbajxhanase të disa fshatrave.
Ndaras, zëvendëskryeministri i Azerbajxhanit, Shahin Mustafayevm njoftoi të premten se rojet kufitare azerbajxhanase kanë marrë kontrollin e katër vendbanimeve.
Në mars, kryeministri armen, Nikol Pashinian, u pajtua që të kthente te Azerbajxhani kontrollin e katër fshatrave të braktisura, të cilat Armenia i kishte marrë në vitet ’90, si pjesë e përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për paqe të qëndrueshme./ REL