Armenia padit Azerbajxhanin në GjND, e akuzon për krime të rënda
Armenia ka paraqitur ankesë ligjore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) të Kombeve të Bashkuara kundër Azerbajxhanit, duke e akuzuar këtë shtet për shkelje të të drejtave të armenëve për disa dekada, përfshirë periudhën e konfliktit të përgjakshëm të vitit të kaluar për Nagorno-Karabakun.
Armenia pretendon se Azerbajxhani i ka diskriminuar armenët në aspektin racor për disa dekada dhe shteti ka zbatuar politikë të urrejtjes ndaj armenëve. Kështu thuhet në deklaratën e lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë.
Gjykata ka thënë në një deklaratë se Armenia pretendon se armenët kanë qenë subjet i diskriminimit sistematik, vrasjeve masive, torturës dhe abuzimeve të tjera, shkruan “Free Europe”.
Armenia ka theksuar se gjatë konfliktit të armatosur të vitit të kaluar, Azerbajxhani ka kryer shkelje të rënda të Konventës ndërkombëtare për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor.
“Edhe pas përfundimit të konfliktit, Azerbajxhani ka vazhduar të përfshihet në vrasje, torturim dhe abuzime tjera të të burgosurve armenë të luftës, pengjeve dhe personave tjerë të ndaluar”, është thënë në dokument.
Ndaj këtij veprimi të Armenisë ka reaguar Azerbajxhani. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit, ka thënë se vendi i tij do të mbrohet fuqishëm dhe po planifikon që të paraqesë kundërpadi ndaj Armenisë për shkeljet e njëjta.