Zërat u përhapën nëpër shkretëtirën e tokës së askujt; këngët e njohura që tejkalonin barrierën e gjuhës; kujtesa muzikore e njerëzimit të përbashkët. “E mbaruan këngën e vet dhe ne duartrokitëm e menduam se në një farë mënyre duhet të hakmerremi. Kështu, u përgjigjëm me The First Noel “.
Është e vështirë të përcaktohet origjina e saktë e armëpushimit të Krishtlindjes së vitit 1914. Dukej se spontanisht u shfaq në vende të shumta përgjatë Frontit Perëndimor. Nuk kishte armëpushim uniform, por disa ngjarje të lokalizuara. Për ushtarët në disa istikame zgjati për ca orë e në disa zona deri të nesërmen e Krishtlindjes, e në vende të izoluar madje deri në Vitin e Ri. Ndërkaq, në disa pjesë të Frontit Perëndimor kjo fare nuk ndodhi. Rreth 77 ushtarë britanikë u vranë gjatë luftimeve në ditën e Krishtlindjes së vitit 1914.
Për kolonelin Scott Shepherd – atëherë oficer i rangut të ultë që luftonte pranë qytetit Armentier në Francën veriore – kjo krejt rastësisht filloi. Në agim të mëngjesit të Krishtlindjes, toka e askujt ishte e mbuluar nga një mjegull e madhe. “Mjegulla ishte aq e dendur sa nuk mund ta shihje dorën para teje”, kujtoi ai kur me BBC-në në vitin 1968 u kthye në fushën e betejës.
Vendimi u mor për të përfituar nga mbulesa e ofruar nga moti, për të riparuar istikamin e shkatërruar. Por, teksa ushtarët punonin duke mbushur thasët me rërë dhe duke u përpjekur që të rivendosnin murin e hendekut, mjegulla papritmas nisi të shpërndahej.
“Dhe, përgjatë kësaj linje ne papritmas pamë gjermanët që bënin saktësisht të njëjtën gjë, haptazi. E shikuam njëri-tjetrin për ca kohë dhe më pas një ose dy ushtarë shkuan drejt tyre. U takuan, i shtrënguan duart, këmbyen cigare, filluan të bisedojnë. Lufta për atë moment u ndal”. Gjenerali Walter Congreve, i cili drejtoi Brigadën e Pushkatarëve, i shkroi gruas së tij gjatë ditës së Krishtlindjes, duke e përshkruar armëpushimin si “gjendje të jashtëzakonshme”. Për shkak se istikamet ishin shumë afër, ushtarët ishin në gjendje të përshëndesnin njëri-tjetrin, duke i nisur bisedat. “Një gjerman bërtiti se donin armëpushim për një ditë dhe se a do të dilte dikush nëse këtë e bën”, shkroi gjenerali. “Me shumë kujdes, një nga njerëzit tanë u ngrit mbi mur dhe pa një gjerman që bënte të njëjtën gjë. Të dy dolën jashtë, pastaj më shumë … kanë ecur së bashku gjatë gjithë ditës duke i dhënë njëri-tjetrit puro dhe duke kënduar”.
Armëpushimet ua dhanë ushtarëve kohën për të tërhequr të vdekurit e tyre nga toka e askujt dhe për t’i varrosur siç duhet shokët e rënë. Burrat që vetëm disa orë më parë ishin përpjekur të vrisnin njëri-tjetrin, shkëmbyen cigare, ushqime dhe suvenire. Madje, ka raporte për lojëra të improvizuara futbolli, me ushtarët që godasin në hapësirën e djerrë mes istikimave kundërshtare.. Koloneli Johannes Niemann, atëherë toger i klasit të dytë në Regjimentin XXXIII Sakson, ishte një nga ushtarët që ka marrë pjesë.
“Papritmas, Tommy erdh me një top futbolli … Dhe, më pas filloi një ndeshje futbolli. I shënonim golat tanë me helmeta. Gjithashtu Tommy. Dhe, patëm shumë sulme. Më pas, mbas gjithë kësaj, ndeshjen e futbollit e fituan gjermanët me rezultatin tre me dy”.
Asgjë tjetër si ky armëpushim nuk do të ndodhë më gjatë Luftës së Parë Botërore. Udhëheqësit ushtarakë, të cilët ishin kapur në befasi nga armëpushimet dhe nga shoqëria e papritur që lulëzoi, kishin frikë se do të shkatërronin gatishmërinë e trupave të tyre për të luftuar dhe se do të minonin përpjekjet e luftës.
Nga të dyja palët u dhanë urdhrat për të ndaluar “vëllazërimin me armikun” – përmes kërcënimeve për gjyq ushtarak. Oficerët u urdhëruan të hapnin zjarr mbi ushtarët e armikut që afrohen te istikami dhe gradualisht të shtënat përsëri filluan të dëgjoheshin përgjatë vijës së frontit. Lufta rifilloi brutalitetin e saj dhe teksa tmerret e saj të pamëshirshme u përshkallëzuan, u thellua hidhërimi midis kombeve kundërshtare. Krishtlindjen e ardhshme, breshëritë e mitralozave u përdorën qëllimisht për të mbytur çdo tingull të këngës festive dhe për të parandaluar përsëritjen e armëpushimeve spontane.
Armëpushimi i Krishtlindjeve i vitit 1914 nuk e ka ndryshuar rrjedhën e luftës, por siç thotë historiani Dan Snow: fakti që ndodhi ishte një akt i mrekullueshëm. “Armëpushimi ishte dritë e shkurtër joshëse e njerëzimit individual në një luftë të burokracive, makinerive dhe eksplozivëve”.
Dhe, kjo pati ndikim të thellë te burrat, si koloneli Scott Shepherd që këtë e përjetoi. Për një moment të shkurtër, ushtarët nga anët e ndryshme e panë njëri-tjetrin si baballarë, vëllezër dhe bij që vetëm donin të shkonin në shtëpi dhe të ktheheshin te njerëzit e dashur – në vend që të vriteshin si armiq të panjohur.
“Disa prej tyre flisnin anglisht. Ata edhe më shumë e shprehën mospëlqimin e tyre … në fakt për gjithë luftën. Nuk ishin aspak agresivë. Disa prej tyre thanë se kishin qenë në Londër, se kishin qenë në Angli, në fakt dhanë çdo indikacion për të dëshmuar se ishin të lumtur që na takuan”, ka thënë ai. /Telegrafi/