Armëpushimi Izrael-Hamas | Biden: Negociatat ishin të vështira, marrëveshja përfshin 3 faza
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden konfirmoi të mërkurën arritjen e marrëveshjes së armëpushimit dhe për lirimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit.
“Mund të deklaroj që marrëveshja e armëpushimit dhe pengjeve është arritur ndërmjet Izraelit dhe Hamasit,” deklaroi Presidenti Biden nga Shtëpia e Bardhë. Ai tha se marrëveshja ishte arritur pas 15 muaj vuajtjesh dhe do të shoqërohet me shtimin e ndihmave humanitare në Gazë.
“Luftimet në Gazë do të ndërpriten dhe së shpejti pengjet do të kthehen në shtëpi tek familjet e tyre”, tha ai.
“Sot, pas shumë muajsh diplomacie intensive nga Shtetet e Bashkuara me Egjiptin dhe Katarin, Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje armëpushimi dhe për lirimin e pengjeve. Kjo marrëveshje do t’i ndalë luftimet në Gazë, do të shtojë ndihmat shumë të nevojshme humanitare për civilët palestinezë dhe do t’i bashkojë pengjet me familjet e tyre pas më shumë se 15 muajsh”, tha Presidenti Biden nga Shtëpia e Bardhë.
Marrëveshja përfshin një armëpushim të plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Në deklaratën e tij, Biden është shprehur se gjatë fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit, palestinezët mund të kthehen në shtëpitë e tyre teksa ka shtuar se ndihma humanitare në Rripin e Gazës do të rritet.
Ai ka shtuar se Izraeli dhe Hamasi do të negociojnë marrëveshjet e nevojshme në fazën e dytë për atë që do të ishte fundi i përhershëm i luftës. Më tej, Biden është shprehur se rruga drejt kësaj marrëveshjeje nuk ka qenë e lehtë dhe ai e quan atë një nga negociatat më të vështira që ka përjetuar.
Presidenti në detyrë i SHBA, Biden thotë se ndihet i kënaqur që kjo ditë ka ardhur teksa shprehet se me këtë marrëveshje, palestinezët mund të rindërtojnë pa Hamasin.
Biden deklaroi se ai dhe ekipi i Presidentit të zgjedhur Donald Trump folën si një skuadër në përpjekjet e tyre për të arritur marrëveshjen e armëpushimit.
Komentet e Biden erdhën pakë kohë pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump në një postim në mediat sociale pretendoi se fitorja e tij në zgjedhje ishte ajo që solli marrëveshjen.
3 FAZAT E MARRËVESHJES SIPAS BIDEN:
–Faza e parë “armëpushim i plotë”: Kjo fazë do të zgjasë gjashtë javë dhe përfshin një armëpushim të plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
–Faza e dytë “fundi i luftës”: Përfshin negocimin e përfundimit të luftës. Nëse negociatat zgjasin më shumë se gjashtë javë, armëpushimi do të vazhdojë.
–Faza e tretë “rindërtimi i Gazës”: Do të fillojë një plan rindërtimi për Gazën, ndihma humanitare do të rritet dhe palestinezët e zhvendosur do të mund të kthehen në lagjet në të gjitha zonat e Gazës.