Armëpushimi në Jemen prishet pak kohë pas hyrjes në fuqi
Armëpushimi në luftën e Jemenit është prishur pak minuta pas hyrjes në fuqi, kanë bërë me dije zyrtarët pro-qeveritarë.
Palët ndërluftuese kanë rënë dakord për një marrëveshje armëpushimi që do të zbatohej në qytetin port të Hudejdes, nisur nga mesnata, sipas kohës lokale.
Por, ka njoftime për përplasje sporadike midis rebelëve Huthi dhe forcave pro-qeveritare në qytet, i cili është një rrugë jetike për ndihma.
Kryengritësit është thënë se kanë bombarduar forcat qeveritare në Hudejdën lindore.
Një zyrtar pro-qeveritar i ka thënë “AFP”-së se përleshjet janë duke vazhduar.
Marrëveshja për armëpushim është arritur javën e kaluar në bisedimet e sponsorizuara nga Kombet e Bashkuara, që janë mbajtur në Suedi.
Lufta në Jemen ka nisur qysh në vitin 2014.
Mijëra njerëz janë vrarë, ndërsa mbi 20 milionë kanë nevojë për ndihma humanitare. /Rel/