Armët bërthamore në kufi me Ukrainën, Rusia fillon stërvitjen taktike: Po kërcënohemi nga Perëndimi
Vladimir Putin kërcënon NATO-n me përdorim të armëve taktike bërthamore në Ukrainë. Në përgjigje të përpjekjeve të Perëndimit për t’u përfshirë në luftën e Ukrainës dhe planit të saj për t’i dërguar armë shkatërruese Ukrainës, Rusia ka filluar fazën e parë të stërvitjeve që përfshijnë “stërvitje praktike në përgatitjen dhe përdorimin e armëve bërthamore jostrategjike”. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes Ruse.
Sipas Moskës zyrtare, Rusia po ndihet e rrezikuar nga deklaratat e fundit të Perëndimit të cilat përbëjnë një kërcënim të sigurisë ruse si rrjedhojë Putin ka urdhëruar fillimin e stërvitjeve në shkallë të gjerë.
Ministria e Mbrojtjes tha se faza e parë e stërvitjes përfshinte raketat “Iskander” dhe “Kinzhal”. Analistët e sigurisë thonë se stërvitja është projektuar si një sinjal paralajmërues nga Putin për të penguar Perëndimin që të futet më thellë në luftën në Ukrainë, ku ka ofruar armë dhe shërbime të tjera për Kievin, por nuk ka dërguar trupa.
Armët bërthamore taktike ose jostrategjike janë më pak të fuqishme se armët strategjike të krijuara për të zhdukur qytete të tëra, por megjithatë ato kanë një potencial të madh shkatërrues.
Nga ana e saj, Ukraina ka propozuar që aleatët perëndimorë të rrëzojnë raketat ruse nga territori i tyre.
“Nuk ka asnjë argument ligjor, sigurie apo moral që i pengon partnerët tanë të rrëzojnë raketat ruse mbi territorin ukrainas nga territoret e tyre”, tha Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në një konferencë për shtyp me kolegen time gjermane Annalena Baerbock në Kiev.