Armët pa leje dhe lufta Sspeciale. A po përgatitet terreni për çarmatosjen e qëllimshme?

22 shkurt 2025 | 15:56

Shkruan: Hisen Berisha

Fushata për identifikimin, dënimin dhe heqjen e armëve pa leje në Kosovë po shfaqet gjithnjë e më qartë si një formë e luftës speciale. Në një kohë kur po flitet gjithnjë e më shumë për mundësinë e marrëveshjeve antikushtetuese që mund të çojnë në humbjen e territorit të Kosovës, ky aksion nuk mund të shihet thjesht si masë për rritjen e sigurisë publike. Përkundrazi, duket si një përpjekje e qëllimshme për të dobësuar gatishmërinë dhe aftësinë e popullit për t’u vetëmbrojtur.

Në të kaluarën, janë dhënë disa afate procesuale për legjitimimin e armëve pa leje, duke u mundësuar qytetarëve t’i regjistrojnë ato në mënyrë ligjore. Kjo ka qenë veçanërisht e rëndësishme për ata që ndihen më të sigurt kur i disponojnë dhe aftësohen në përdorimin e tyre. Por, fushata e tanishme për çarmatimin total duket se po shpërfill këtë të drejtë ligjore dhe po synon t’i çarmatosë qytetarët në mënyrë të pakthyeshme.

Historia na ka mësuar se çarmatosja e popullatës është një hap strategjik për t’i hapur rrugë imponimit të marrëveshjeve që prekin integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror. Në rastin e Kosovës, nëse zhvillimet politike çojnë drejt humbjes së kontrollit mbi disa territore, është e pritshme që veteranët e luftës dhe qytetarët që ndihen të kërcënuar të mobilizohen për të mbrojtur atdheun. Ata mund të organizohen në formacione paraushtarake, që do të duhej të sistemoheshin nën komandën e përbashkët të FAK (Forca e Armatosur e Kosovës).

Duke pasur parasysh këtë skenar, duket e arsyeshme të pyesim: Pse pikërisht tani ky interesim i shtuar për çarmatimin e popullatës? A është ky një aksion për të garantuar sigurinë apo një përpjekje e organizuar për të neutralizuar rezistencën e mundshme ndaj marrëveshjeve që cënojnë integritetin territorial të Kosovës?

Interesimi i Institutit të Kosovës për Drejtësi për këtë çështje ngre dyshime të mëdha dhe kërkon hetim të thelluar. A po përdoret ky institut për të legjitimuar një agjendë qëllimkeqe, duke e paraqitur çarmatimin si një veprim të nevojshëm ligjor? Apo po përgatitet terreni për të paralizuar fuqinë mbrojtëse të popullit në prag të zhvillimeve politike që mund të kenë pasoja të rënda për shtetësinë e Kosovës?

Këto pyetje kërkojnë përgjigje urgjente. Nëse çarmatimi i popullatës është pjesë e një skenari më të gjerë politik për të realizuar marrëveshje që dëmtojnë interesat kombëtare, atëherë kjo nuk është thjesht një çështje sigurie publike, por një akt i mirëorganizuar i luftës speciale.

Prandaj, është e domosdoshme që shoqëria civile, veteranët e luftës, intelektualët dhe qytetarët e ndërgjegjshëm të jenë vigjilentë dhe të kërkojnë transparencë të plotë në këtë proces. Çarmatimi nuk duhet të bëhet pretekst për çmobilizimin e popullatës dhe dobësimin e aftësisë mbrojtëse në një kohë kur po luhen fatet e shtetësisë dhe territorit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)…