Armiku ndodhet në Perëndim

21 prill 2019 | 13:35

Jens Thurau

Populistët e djathtë gjermanë në krah të presidentit rus Putin? Në vështrim të parë kjo të duket një kontradiktë e çuditshme. A nuk janë populistët e “Alternativës për Gjermaninë” (AfD) para së gjithash nacionalistë ekstremë, për të cilët gjithmonë çdo e keqe vjen nga bota e jashtme? Por nacionalistët ekstremë që nuk kanë asgjë të përbashkët me patriotët e vërtetë, gjithmonë janë kuptuar mirë përtej kufijve. Në refuzimin dhe përçmimin prej tyre të demokracisë, të shtetit juridik dhe të mirëkuptimit të popujve. Dhe krejt konkretisht në luftën e tyre kundër demokracive perëndimore.

Provokim me ndërgjegje

Ashtu si në vitet e mëparshme, edhe tani në Krimenë e aneksuar nga Rusia po zhvillohet një konferencë ekonomike me pjesëmarrjen e një deputeti të Bundestagut Gjerman nga AfD. Udhëtim privat, thuhet. Por megjithatë kemi të bëjmë me një provokim të ndërgjegjshëm ndaj Ukrainës. Dhe me një mbështetje po të ndërgjegjshme të politikës zyrtare të qeverisë ruse.

Të shumta janë kontaktet e populistëve të djathtë gjermanë me partnerë, me të cilët ndajnë të njëjtat mendime – në Krime, në Moskë, edhe në rajonet e zotëruara nga separatistët në Ukrainën Lindore. Dhe në Gjermani vetë, AfD-ja ka kohë që kërkon të marrë votat e rreth tre milionë gjermanëve të Rusisë, me sukses të qartë.

Pas kësaj qëndron një përkufizim i ngatërruar i përbashkët, i historisë dhe i së tashmes nga politikanët rusë dhe nga populistët gjermanë. Për një gjoja kulturë oksidentale evropiano-kristiane-hebreje të kërcënuar. Në këtë panoramë, demokracitë e dobësuara perëndimore e kanë dorëzuar kontinentin. Dhe prandaj ata po mbyten nga njerëzit nga jugu. Të dyja palët, ekstremistët rusë dhe gjermanë, ndajnë përçmimin e tyre për globalizimin, për përparimet shoqërore si njohjen e minoriteteve, të të drejtave për shembull të homoseksualëve. Bashkimi Evropian është për ta tmerr. Brexiti vetëm fillimi i shpërbërjes së bashkësisë së shteteve. Ndryshimi i klimës është një shpikje e shkencëtarëve të verbuar nga ekologjia. Ndërsa mediet shpërndajnë gënjeshtra.

Të qëndrojmë të matur

Për demokracitë perëndimore mbetet vetëm një rrugë: të qëndrojnë të matura, të mbështeten te shumicat e mëdha në shumë vende evropiane, të cilat nuk duan të kenë të bëjnë fare me pozicione të tilla. Dhe t’i vënë qartë emrin se kush po debuton së bashku, për të dëmtuar demokracitë perëndimore, kudo ku kjo është e mundur.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari i famshëm botëror, Shawn Mendes, ka thënë se nuk…