Aro Muriq do t’i bashkohet Kosovës për ndeshjen ndaj Izraelit
Arijanet Muriq nuk pritet që t’i mungojë Kosovës për ndeshjen ndaj Izraelit, e cila do të zhvillohet jashtë orareve të zakonshme të UEFA-s, në kuadër të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Kjo ndeshje do të zhvillohet të dielën e 12 nëntorit dhe ftesa portierit dardan parashikohet që t’i bëhet sërish nga Primoz Gliha, pasi ai është portieri numër një i Kosovës.
Kjo ndeshje ishte e paraparë që të zhvillohet më 15 tetor, por që u shty shkaku i situatës që u krijua pas konfliktit mes Izraelit e Palestinës.
Kësisoj, me datën e re të caktuar nga UEFA (12 nëntor), i bie në fundjavën e fundit që zhvillohet në ligat evropiane, para pauzës ndërkombëtare.
Burnley do të luajë ndaj Arsenalit më 11 nëntor dhe Muriqi do të mungojë në këtë sfidë. Kjo është konfirmuar së fundmi nga trajneri Vincent Kompany.
“Ka pasur shumë pushime ndërkombëtare. Në 12 muajt e fundit ne jemi mësuar me çdo formë të tij, pavarësisht nëse është një Kupë e Botës në dimër ose nëse janë tre ose katër pushime para Vitit të Ri. Na ndodh që të prekemi nga diçka që është padyshim në një shkallë shumë më të madhe, por ndeshja Kosovë – Izrael do luhet pas ndeshjes sonë kundër Arsenalit , kështu që ne nuk e kemi Aro Muriq në dispozicion për atë lojë. Unë mund ta kuptoj arsyen e kësaj ndeshjeje, por pushimi ndërkombëtar për momentin duket se ka një ndikim mjaft të madh në mënyrën se si luani sezonin tuaj”, deklaroi trajneri belg.
Gjithsesi, Muriq nuk është se do të ishte në formacionin e titullarëve për ndeshjen ndaj Arsenalit, pasi Kompany preferon James Trafford para kosovarit.
24-vjeçari nuk ka regjistruar ende asnjë paraqitje në Premierligë me Burnleyn. Ai këtë sezon ka bërë tri paraqitje vetëm në Kupën EFL, të njohur si Kupa Carabao.