Arratia nga Alkatrazi, letra misterioze nga ‘i burgosuri’
Një letër misterioze është publikuar nga mediet amerikane dhe dyshohet se është shkruar nga një prej tre të burgosurve që është arratisur nga Alkatrazi në vitin 1962.
Dikush që pretendon se është Xhon Anglin, një nga të arratisurit, i ka shkruar policisë së San Franciskos në vitin 2013, por vetëm tani autoritetet bëjnë publike letrën.
“Unë quhem Xhon Anglin. U arratisa nga Alkatraz në qershor 1962. Që të tre ia dolëm, por më shumë vështirësi”, është thënë në letër.
Edhe sot e kësaj dite, tre të arratisurit, duke qenë se fati i tyre është ende mister, janë në listën e më të kërkuarave në SHBA. Letra pretendon se vëllezërit Xhon dhe Clarence Anglin bashkë me shokun e tyre Frank Morris jetuan deri në pleqëri pasi ia mbathën nga burgu gjysmë shekulli më parë.
Në letër shkruhet se Clarence Anglin vdiq në 2008, ndërsa Morris më 2005-n. Autori i letrës thotë se është 83 vjeç, vuan nga kanceri dhe shëndeti i dobët dhe në këmbim të kurave mjekësore ofron që të dorëzohet.
Policia e San Franciskos e ka mbajtur sekret për 5 vjet letrën dhe pavarësisht krahasimi të shkrimit me atë të tre të arratisurve, ka thënë se nuk arriti rezultatet përfundimtare, prandaj as mund të konfirmojë dhe as mohojë autorësinë e saj.
Vëllezërit Anglin dhe Morris ishin burgosur për grabitje banke dhe ishin dërguar në Alkatraz, i cili rezervohej për kriminelët më të këqij dhe konsiderohej si një burg nga ku nuk mund të arratiseshe.
Por arratia e tyre i ka dhënë fund këtij miti dhe në vitin 1963, Alkatrazi është mbyllur duke u shndërruar në një atraksion turistik që vizitohet edhe sot e kësaj dite. (TCh)