Arratiset një 17-vjeçar nga qendra korrektuese në Lipjan
Personat që vuajnë dënimet për vepra të ndryshme penale në Qendra Korrektuese në Kosovë, ka raste kur gjejnë mundësinë dhe arrijnë që të arratisen nga hapësirat e burgjeve.
Raste të tilla kanë qenë goxha të shpeshta dhe po ndodhin pikërisht në kohën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila është krekosur se po udhëheq suksesshëm me ministrinë dhe ka rritur nivelin e sigurisë në burgje dhe qendra korrektuese.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe së fundmi në qendrën korrektuese për të mitur në Lipjan, ku një 17-vjeçar ka arritur të largohet dhe akoma nuk është kapur.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur të mërkurën, në orët e mbrëmjes, kur i mituri është arratisur nga kjo qendër, ku po vuante dënimin që nga muaji shtator i vitit të kaluar.
Sipas informacioneve të para, posa zyrtarët korrektues e kanë zbuluar se 17-vjeçari ka ikur, e kanë lajmëruar Policinë, por përkundër kërkimeve, policët ende s’kanë rënë në gjurmët e tij.
Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për arrestimin e të miturit dhe kthimin e tij në qendrën korrektuese.