Arratisja nga burgjet, “trend” në Kosovë
Në muajin e fundit, skena e sigurisë në Kosovë është tronditur nga arratisjet e papritura të tre individëve nga burgje të ndryshme.
Dje ka ndodhur arratisja më e fundit nga Reparti i Hematologjisë në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.
Deputeti nga PDK-ja Hisen Berisha ka deklaruar për FrontOnline se heqja e armëve nga personeli i Qendrave Korrektuese, vendim i miratuar në qershor, ka ndikuar në rritjen e arratisjeve.
“Nëse s’gaboj diku ne qershor është marrë vendimi për heqjen e armëve nga personeli i qendrave korrektuese dhe atëbotë kam reaguar në pyetjet e mediave se kjo do të krijonte parakushte për arratisjen e te burgosurve ,pa dashur te lëshojë emra te emrave te arratisurve deri te ky i fundit qe e pati fatkeqësinë të vritej. Janë tre persona qe janë largu deri me tani, ky trend po vazhdon dhe kjo tregon se ka dështuar sistemi i sigurisë se burgjeve dhe gjëndrave korrektuese në Kosovë dhe predikimi im qe heqja e armëve nga personeli i qendrave korrektuese rezulton të jetë më shumë sesa thjesht një strategji apo planifikim, të jetë qëllim.
Ai ka theksuar se ky vendim mund të ketë kontribuar në dështimin e sistemit të sigurisë dhe ka kërkuar që Ministria e Drejtësisë të rishikojë masat e sigurisë dhe të fokusohet në edukimin dhe risocializimin e të burgosurve për të parandaluar veprat penale të tjera.
“Prandaj unë mendoj se këtu duhet te reflektojë Ministria e Drejtësisë, e cila bart përgjegjësinë kryesore për dështimin e këtij sistemi dhe t’i rikthehen edhe njëherë të trajtojnë çështjen e sigurisë nëpër Qendrat Korrektuese të burgjeve ne Kosovë, të cilat duhet te kenë parasysh jo vetëm dënimin e personave qe arrestohen për vepra të ndryshme, por edhe edukimin edhe risocializimin e tyre“.
Avni Islami, ekspert i sigurisë, ka thënë për Front Online se gjykatat mbajnë përgjegjësi për arratisjet, pasi ato vendosin llojin e dënimit dhe vendin ku duhet të sistemohen të dënuarit.
“Muajt e fundit është bërë si trend arratisja ose ikja nga burgjet e Kosovës po kryesisht të tipit të hapur sepse te gjithë ata persona që konsiderohen me rrezikshmëri te lartë e qe janë ne burgun e Dyzit nuk ka ndodhë që dikush të arratiset nga ai vend, mirëpo përgjegjësinë për ikje të të burgosurve e kanë ata qe e shqiptojnë dënimin, barrën kryesore e ka gjykata sepse ata e vendosin ku do të sistemohet i dënuari”.