Arrest shtëpiak për gjinekologun që ndërpreu jashtëligjshëm abortin e vajzës nga Drenasi
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit F.A për shkak të veprës penale Ndërprerja e pa lejuar e shtatzënisë.
Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit F.A iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej datës 07.02.2019 deri me datë 06.03.2019.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri F.A me dt. 15.01.2019 në kundërshtim me Ligjin 03/L- 10 për ndërprerjen e shtatzënisë, në ordinancën e tij private specialisktike-gjinekologjike ka bërë ndërprerjen e shtatzënisë ndaj të dëmtuarës A.G”, thuhet në komunikatë.
Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e arrestit shtëpiak është bërë duke pasur parasysh peshën e veprës penale, pasi që i pandehuri po të gjendet në liri, ekziston rreziku se i njëjti do të ndikoj tek dëshmitarët apo të arratiset me qëllim që t’i shmanget përgjegjësisë penale.