Arrest shtëpiak për katër të rinjtë serbë që dyshohet se sulmuan policët në veri, flet avokati
Gjykata Themelore e Mitrovicës, dega në veri ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak katër të rinjve serbë për sulmin ndaj policëve.
Lajmin e ka konfirmuar avokati Shyqyri Syla, i cili tha se të rinjtë në seancën dëgjimore kanë kërkuar falje dhe se “kanë pranuar se i kanë fyer policët por jo që i kanë sulmuar”.
“Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘sulm ndaj personit zyrtar’. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore që zgjati bukur shumë, gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar kërkesën e prokurorisë dhe ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak. Kanë kërkuar falje dhe kanë pranuar se i kanë fyer policët por jo që i kanë sulmuar fizikisht”, tha Syla për Klan Kosova.
Tutje, ai tha se pajtohet me masën e arrestit shtëpiak ndaj katër të rinjve serbë, për të cilët tha se është hera e parë që kanë kryer vepër penale.
Në lidhje me këtë seancë, gjatë ditës serbët në veri të vendit kanë protestuar pothuajse gjatë gjithë ditës. Janë paralajmëruar edhe protesta të tjera, e për këtë është shtuar edhe prania e Njësisë Speciale.