Arrestimet e nëntorit në vitin 1979 në Ferizaj dhe në rrethinën e tij

11 nëntor 2023 | 14:00

Skender Haliti

Me 11 nëntor 1979 filluan arrestimet në Ferizaj dhe në rrethinë, të cilat u zgjeruan edhe në qytete të tjera të Kosovës. Rinia shqiptare ishte rebeluar, kështu që shteti ishte i detyruar të reagonte me mjetet e tij represive.

Titullarët e shtetit si pa të keq këtë gjë e quajtën një intervenim minimal kirurgjik, dmth. një gjë të vogël. Titullarët ishin të bindur se ishin kursyer në marrjen e masave ndëshkuese e frikësuese. Dhe është e vërtetë që vetë Titoja i sëmurë tashmë  kishte kërkuar që të ketë sa më pak të dënuar në mesin e të burgosurëve, në mënyrë që dukuria e rebelimit të zhdramatizohej. Vetë të arrestuarit pasi merreshin në pyetje, frikësoheshin dhe shantazhoheshin, jo rrallë edhe keqtrajtoheshin fizikisht, liroheshin brenda ditës duke u porositur që të mos tregonin në publik për këtë gjë. Numri i të arrestuarëve nuk duhej të ishte i madh. Nëse bota do të merrte vesh për këtë persekutim politik, imazhi i Jugosllavisë si shtet i përkryer do të zbehej, ndaj shteti vëzhgonte dhe spiunonte qytetarët e tij në shkallë të gjerë, por për të intervenuar demonstrativisht nuk intervenonte pa pasur arsye të fortë. Represioni duhej ushtruar në fshehtësi, duhej maskuar, ky ishte udhëzimi nga instancat më të larta shtetërore. Jugosllavia nuk ishte më ajo e dikurshmja e OZN-ës dhe UDB-së së Aleksandar Ranković-it. Koha e artë e policisë politike kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë. Jugosllavia në ndërkohë ishte bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare në Perëndim që nuk e pranonin a priori represionin politik. Edhe vetë shqiptarët kishin ndryshuar, nuk ishin më ata të parët, të pashkolluar dhe të frikësuar. Brezi i ri nuk e njihte si realitet shtetin represiv a la Ranković. Rrëfimet e prindërve dhe të gjyshërve shqiptarë për përvojatve tyre me këtë krijesë monstruoze të dhunës nuk e frenonin vullnetin e tij politik për ndryshim. Jusuf Gërvalla në dhjetor të këtij viti, të vitit 1979, për t’i shpëtuar burgosjes, u arratis në Gjermaninë Perëndimore. Atëbotë ekzistonin dy Gjermani, Gjermania Perëndimore dhe ajo Lindore. Shqiptarët që në çfarëdo forme nuk pajtoheshin me Jugosllavinë strehimin e tyre politik e kërkonin në Gjermaninë Perëndimore dhe jo në atë Lindore, edhepse në mediat e  Gjermanisë Perëndimore flitej për një lloj nacionalizmi të majtë shqiptar, mirëpo protagonistët e këtij nacionalizmi pranoheshin vetëm në Perëndim dhe kurrësesi në Lindjen proruse. Jusuf Gërvalla pak javë pas vendosjes së tij në Gjermani zhvillon një intervistë me gazetën ditore të Berlinit “Tageszeitung” ku flet për një përndjekje të madhe të shqiptarëve nga shteti jugosllav. Kjo intervistë nuk u botua në këtë kohë, sepse redaksia e gazetës nuk duhet t’i ketë besuar të përndjekurit io politik Jusuf Gërvalla. Ajo duhet të ketë dyshuar për hiperbolizim propagandistik në lidhje me situatën e shqiptarëve në Jugosllavi. Intervista botohet dy vite më vonë, pas vrasjes së të intervistuarit të saj. Me pak fjalë, Kosova e hapi një periudhë të re të ekzistencës për këtë shtet liberal të socializmit vetëqeverisës e të ngjarjeve të mëdha politike, kulturore dhe sportive në shkallë kontinentale e botërore. Jugosllavia në arenën ndërkombëtare ishte një faktor serioz. Në këtë kohë, kur filloi stina e arrestimeve në masë e rinisë shqiptare, Jugosllavia komuniste kishte 34 vjet ekzistencë dhe shumëkush kujtonte se si shtet ajo ishte e përjetshme. Para saj kishte ekzistuar edhe Jugosllavia mbretërore për 22 vjet, kështu që njerëzit ishin të prirur të mendonin se ky shtet mund të pësoj transformime e metamorfoza, por ekzistenca e tij nuk mund të vihej në pyetje. Jugosllavia e Titos konsiderohej një shtet i përsosur nga elitat që ishin në krye të saj dhe nga e majta europiane. Kritikët dhe skeptikët nuk depërtonin lehtë me opnionet e tyre në mediat perëndimore, kurse ata brenda persekutoheshin politikisht, qoftë edhe në trajtën e proceseve të montuara si ai i Adem Demaçit në vitin 1976. Vetëm më pak se një vit e gjysmë  pas arrestimeve të vjeshtës së vitit 1979, në pranverë të vitit 1981, në mars-prill, shqiptarët si demonstrues e protestues do të mbushnin sheshet dhe rrugët kryesore të qyteteve të tyre në kërkim të Republikës shqiptare të federuar, pra në kërkim të barazisë kushtetutare për shqiptarët e nëpërkëmbur në të gjithë hapësirën e tyre etnike në Jugosllavi, 12 vjet më vonë Sllovenia dhe Kroacia do të shpallnim pavarësinë nga ajo, kurse saktësisht në krye të dy dhjetvjeçarëve Jugosllavia e Zhablakut do të kthehej në objektiv të avionëve luftarakë të NATO-së. Në vitin 1979 mund të thuhet se askush në Jugosllavi, përfshirë këtu edhe kundërshtarët  më të mëdhenjë të saj: shqiptarët, nuk bënte prognoza të tilla kaq pesimiste. Por ata që i njihnin të metat e bashkëlindura të këtij shteti kishin nxjerrë përfundimin e drejtë logjik se Serbia e fortë ushtarakisht përbënte një vatër rreziku afatgjatë për rajonin, kështu që një ndërhyrje ushtarake ndaj ssj ishte i vetmi opsion i arsyeshëm pacifikimi.

 

Përndjekje politike të shqiptarëve në Jugosllavi  kishte pasur gjithmonë, por prej dhjetvjeçarësh nuk ishin bërë arrestime në stil të gjerë. Titoja kishte bërë gjithmonë kujdes që përndjekja politike e kundërshtarëve  të tij të mos e shqetësonte publikun, të ndodhte në fshehtësi, pa lënë shumë gjurmë. Në këtë përvjetor, kur po bëhen pothuajse gjysmë shekulli, është momenti i duhur për një reflektim të thellë, pra tani në retrospektivë pothuajse gjysmëshekullore mund të konstatohet pa shumë vështirësi se klima politike në ish Jugosllavi kishte filluar të ashpërsohej, brezi i ri i politikanëve jugosllavë që ishte rritur me parullat „druze Tito ti se kunemo, od tvoga puta ne skrenemo” (shoku Tito të betohemi se rrugën tënde nuk e braktisim) e “bashkim-vëllazërimit” nuk brengosej shumë për prishjen e barazpeshave politike, sepse veç përvojës politike atij i mungonte edhe njohuria e thellë e politikës si art i të mundshmes. Jugosllavia kishte qenë për një kohë të gjatë e përkdhelura e Perëndimit, por qëndrimi i tij ndaj kësaj ngrehine shtetërore po ndryshonte në kuptimin e qëndrimit kritik, sepse Jugosllavia ishte një krijesë me prirje të dyfishtë, properëndimore dhe kundërperëndimore. Sllovenia, Kroacia dhe shqiptarët ishin me Perëndimin, por jo edhe Serbia e Mali i Zi, e deri dikur edhe Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia, të cilat  rrinin në mes  të këtyre dy poleve politike. Serbia Jugosllavinë gjithmonë e kishte parë si një formë të Serbisë së Madhe, kështu që në Beograd tendencat cetrifugale në Veriperëndim të federatës luftoheshin në mënyrë vehemente. Nga Beogradi nuk tumirej asnjë nismë që do ta reformonte në fundamentet e tij shtetin e sllavëve të jugut. Ky shtet vërtet quhej Jugosllavi, por nuk ishte shtet i të gjithë sllavëve të jugut e aq më pak i atyre popujve që nuk ishin sllavë. Jugosllavia funksiononte si Serbi e Madhe. Titullarë të parë të saj ishin serbët, të tjerët ishin aty vetëm sa për dekoracion. Çdo modus tjetër ekzistence politike e kësaj federate merrej nga elita politike serbe si një sfidë për luftë dhe, duke qenë se ushtria dhe diplomacia jugosllave dominohej nga serbët, nxirrej përfundimi pseudologjik se ky shtet mund të mbrohej me dhunë ndaj kërkesave të ligjshme të popujve të tjerë që e përbënin atë. 

 

Veprimtaria ime e organizuar në Levizjen Ilegale Atdhetare fillon në vitin e dytë të shkollës së mesme, kur isha nxënës në gjimnazin e asaj kohe, në vitin 1975, dmth. saktësisht para 48 vjetësh. 

 

Ne fokus të angazhimit tonë, jo vetëm në qytetin Ferizajit, por edhe në rrethinën e tij, ishte  shtimi i anëtarëve në rradhët tona, me një fjalë përfshirja e sa më shumë njerëzve në rradhët e  Lëvizjes Ilegale Kombëtare. Ne ishim fillestarë, të papërvojë dhe me një horizont të kufizuar politik. Nuk mund të them se ne kishim njohuri të thella për lëvizjet e mëhershme politike që kishin luftuar edhe me armë në dorë kundër mbetjes së Kosovës nën juridiksionin serb e jugosllav. Të tilla lëvizje politike kishte pasur në gjithë hapësirën tonë etnike që kishte mbetur nën Jugosllavi pas vitit 1945, por ne nuk kishim njohuri librore për to, sepse për këto lëvizje mungonin librat dhe studimet, ato për më tepër ishin rreptësisht të ndaluara. Shteti jugosllav nuk donte të kujtonte asnjë epizod lufte e represioni ndaj shqiptarëve, sepse kështu shqiptarët mund të vinin në përfundimin se nuk ishin çliruar, por pushtuar nga ushtritë serbo-malazeze dhe jugosllave. Këtë ide, idenë e pushtimit, duhej çrrënjosur nga mendja e shqiptarit, sepse vetëm kështu ai mund të integrohej në shoqërinë jugosllave, pra përmes harresës. Nëse dinim diçka, atëherë kjo dije vinte nga familjet tona, por fakti që këto lëvizje kombëtare kishin pasur një shtrirje të gjerë në popullsinë shqiptare, mund të thuhet se secili prej nesh dinte diçka për to, edhepse këto njohuri ishin të mangëta, me zbrazëti të mëdha dhe aspak sistematike. Edhe vetë ideja për organizim politik jashtë sistemit jugosllav, në fakt kundër tij, tregon se ne, ndoshta edhe pavetëdijshëm, përpiqeshim të ruanim kontinuitetin e rezistencës, sepse pushtimi e ripushtimi serbo-jugosllav i viseve shqiptare kurrë nuk ishte pranuar nga shqiptarët. Dhe ky disponim gjithpopullor kundërserb e kundërjugosllav bënte që me secilin shqiptar të gjeje shpejt një temë bisedimi që në qendër kishte nevojën e domosdoshme për organizim politik për çlirim kombëtar nga zgjedha serbo-jugosllave. Serbia, liberale apo joliberale, përjetohej si shtet i huaj, pushtues. Kjo bindje ishte mbarëpopullore, nuk e krijuam ne, e gjetëm. Mund të thuhet se ky disponim refuzues ndaj Serbisë dhe Jugosllavisë na krijoi neve si organizëm politik ilegal. Vetëm njerëzit e lidhur me pushtetin për interesa personale mund të mos pajtoheshin me këtë, jo pse ata nuk kishin njohuri për këto punë, por pse nuk donin telashe me shtetin, të cilit ia njihnin mirë huqet, kështu që donin që të mos zgjohej egërsira që sipas tyre po flinte. Në vitin 1945 dhe më pas pushteti serb-jugosllav kishte qenë i ashpër ndaj çdo forme të rezistencës, kështu që organizatat pararendëse ishin shkatërruar plotësisht, përfshirë këtu edhe dokumentet e tyre. 

 

Një arsye tjetër e mosdijes sonë për organizatat parendëse ishte e natyrës së ideologjisë politike. Ne si Lëvizje e re aktivitetin tonë e bazonim në ideologjinë e Partisë së Punës të Shqipërisë në ndërkohë që organizatat që i kishin prirë aktivitetit tonë kundërserb e kundërjugosllav kishin pasur një ideologji politike perëndimore. Por mbështetja nga Perëndimi për to mori fund qysh në vitet 1940, kështu që u kërkuan burime të reja të mbështetjes së rezistencës. Duhet ta themi haptazi që ndër shqiptar ideologjia komuniste nuk kishte mbështetje aspak, ajo thjesht mund t’u imponohej formalisht njerëzve, por pothuajse askush nuk e pranonte intimisht si ideologji të veten, as ata që vepronin në emrin e saj, sepse pranomi i saj si ideologji çlirimtare lidhej me interpretim fantastik të realitetit historik e social dhe nuk dukej aspak funksionale. Kjo ishte bindja e shqiptarëve në atë kohë, bindje kjo që në rrjedhën e kohës vetëm sa u bë më e fortë. üShoqëria jonë strukturalisht ishte krejt e ndryshme nga ambienti shoqëror ku kishte lindur kjo ideologji dhe nga vendet që e adaptuan më vonë për realizimin e ambicjeve të tyre politike. Fakti që në Rusi e në Serbi ideologjia komuniste ishte etabluar si ideologji zyrtare i bënte njerëzit krejtësisht refraktarë në qëndrimet e tyre politike: Askush nuk donte të hynte në debate politike rreth kësaj ideologjie. Aq më pak kur bëhej fjalë për korrigjimin e saj në stilin e shtetit shqiptar. Shoqëria shqiptare ishte në thelbin e saj një shoqëri feudale me elemente të pakta të shoqërive bashkëkohore. Fakti që në Shqipëri ishte në pushtet një parti e orientim të tillë politik, pra PPSh-në, gëlltitej si një ilaq i hidhur, për arsye të moskrijimit të diferencave politike në Lëvizjen Ilegale që përpiqej të zhvillonte aktivitet kombëtar kundër pushtuesit, por nuk bëhej kështu pjesë organike e grupeve politike që vepronin në atë kohë. Në fakt aktiviteti ynë ishte kombëtar dhe aspak ideologjik në kuptimin e të majtës politike në Shqipëri, në Europën Perëndimore apo të të majtës në Europën Lindore, kështu që edhe si praktikë mungonte në ketën politike wë bënim, megjithatë ne, si nxënës, sipas shembullit të PPSh-së, përpiqeshim të kishim profilin tonë kombëtar, kështu që  zgjidhjen e problemeve sociale e shikonim në optikën e ideologjisë zyrtare në Shqipëri, edhepse klasa punëtore te ne ishte nën ndikimin e komunistëve jugosllavë dhe na qëndronte larg. Çdo kush që donte një vend pune në industri apo që donte ta rusnte atë, nëse tashmë e kishte, kishte frikë nga qarqet ilegale që ishin kritik ndaj shtetit dhe pushtetit jugosllav që zyrtarisht ishte i majtë. Klasa punëtore e qyteteve kishte qëndrim të rezervuar ndaj nesh, gjë që nuk mund të thuhet për fshatarësinë, e cila gjithmonë ka pasur një instinkt të fortë kombëtar, prandaj dhe e ka ndihmuar me të gjitha mjetet Lëvizjen Ilegale Kombëtare. Fshatarësia  ishte me ne, kështu që mund të thuhet se nga pikëvështrimi ideologjik neve na mungonte baza sociale për aventura ideologjike të natyrës klasore. Klas jonë punëtore ishte e vogël dhe shumë e frikësuar. Në atë kohë ne nuk kishim aleatë të tjerë në botë ose nuk i kërkonim ata gjetkë, jashtë Shqipërisë së Enver Hoxhës. Shteti shqiptar, pavarësisht anës së jashtme ideologjike, ka treguar në këtë kohë ndjeshmëri të madhe për grupet tona dhe interesim për luftën tonë. Në fund të fundit, në këtë moshë ne nuk do të kishim pasur asnjë lloj mundësie për t’u marrë me problemet të ndërlikuara të ideologjive politike. Neve na vinte në lëvizje fakti që i përkisnim një populli të përndjekur dhe një vendi të pushtuar, me këtë motivacion ne nuk pyesnim shumë për ideologjitë. Kujtonim se ky problemi ideologjik nuk ishte aq i rëndësishëm sa të ndaheshim në këtë bazë, lufta politike për çlirimin e viseve shqiptare në mbarë Jugosllavinë ishte shtysa jonë themelore. Besnikëria ndaj kombit  në mënyrë implicite shikohej edhe si besnikëri ndaj Partisë së Punës të Shqipërisë. Fakti që kjo parti vazhdimisht e sulmonte Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë për ne atëherë, në vitet 1970, ishte një tregues i mjaftueshëm i përkushtimit kombëtar, sepse Lidhja Komuniste e Jugosllavisë jo vetëm e arsyetonte ripushtimin e viseve shqiptare në vitin 1945, por edhe punonte kundër shqiptarëve me të gjitha mjetet politike që i kishte në dorë, madje duke përdorur për këtë qëllim edhe fundërrinat e shoqërisë shqiptare që dikur kishin qenë në shërbim të Perandorisë Osmane siç ende sot Serbia kur mbështet ideologjinë fetare islsmike, duke shpresuar se kështu do t’i denacionalizojë shqiptarët, në një anë, dhe do ta irritojë Perëndimin me këtë tip shqiptarësh fanatikë, në anën tjetër. 

 

Si Levizje ishim nën ndikimin e plotë ideologjik të Shqipërisë së atëhershme, nën udhëheqjen e Partisë së Punës, kështu që me organizatat tona pararendëse na ndante edhe aspekti ideologjik. Ne fakt ne si fillestar ne politikën ilegale rekrutimin e anëtarësisë dhe te simpatizantëve nuk e bënim mbi bazën ideologjike, por mbi bazën e besnikërisë ndaj interesave të kombit, por përësri në mënyrë implicite nënkuptohej që ai do të bëhej  anëtar i Levizjes sonë ishte praktikisht një  përkrahës ideologjik i PPSh-së dhe i udheheqjes se saj, sepse, kështu mendonim atëbotë, kjo parti  dhe  udhëheqja e saj, ishin mbrojtëset më të  mira të interesave kombëtare dhe, veç kesaj, shteti  shqiptar dhe Partia e Punes deklaronin publikisht se punonin për bashkimin kombëtar. Brezi i paraardhësve tanë që kishte një përvojë tjetër me shtetin shqiptar, këtë ideologji nuk mund ta pranonte në  asnjë rrethanë, sepse ai tashmë ishte në raporte alergjie me të. Për ne si brez i ri rebel që donte të pozicionohej kundër Serbisë, përkatësisht Jugosllavisë si pushtuese barrierat ideologjike nuk përbënin ndonjë vështirësi të madhe: kryesorja ishte disponimi kundërserb dhe ai ekzistonte kudo. 

 

Më kujtohet se në qershor të vitit 1978  së bashku me shokët Xhabir Morina e Rexhep Delollin patëm vendosur të ngjitemi maleve te Sharrit. Ishte ky një lloj alpinizmi që për  shtysë kishte motivet patriotike. Ne Zaskok morëm një  gomar, të cilin e ngarkuam me ushqime  dhe u nisëm. Me vete kishim edhe një kasetofon, libra, nje radio për të dëgjuar Radio Tiranen dhe fjalime te udhëheqësve të Shqipërisë Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe të tjerë, sigurisht edhe për të dëgjuar muzikë folklorike shqiptare, muzikë kjo që na bënte më të vendosur në misionin tonë atdhetar. 

 

Atë natë në bjeshkët e Sharrit kaluam shumë mirë, kurse të nesërmen nëpër  lisa , kemi gdhendur me sopatë prullat: Rroftë  Shqipëria, Rroftë Partia e Punës, Rroftë Enver Hoxha, etj. Më vënë e pyesja Rexhën se a po rriten ata lisa ku kishim gdhendur parullat. Ai më thoshte se më së shumëti janë rritur ata lisa që në trungun e tyr kishin të gdhendur emrin Shqipëri.

 

Me Emrush Xhemajlin, shokun tim të fëmijërisë, kemi qenë  së bashku në shkollën fillore, në shkollën e mesme dhe, pastaj, në veprimtarinë ilegale. Në shtator të vitit 1979 atij i vdiç babai. Në këtë kohë në Kosovë ndodhej ilegalisht veprimtari i çështjes kombetare Ibrahim Kelmendi, udhëheqës i Frontit të Kuq popullor. Ai kishte shellë në Pejë  një sasi ekzemplarësh të gazetës së tij ilegale “Bashkimi”. Emrushi një pjesë të tyre i solli në Prishtinë, pastaj ato unë dhe Emrushi i çuam në Ferizaj ku kjo gazetë  u shpërnda gjerësisht. Shpërndarja e gazetës i shërbente edhe organizatës sonë, sepse kështu ne i identifikonim ata që ishin të gatshëm për veprim politik ilegal. 

Pra per shtimin e radheve tona me anetar te rinj  njoftoheshin shoket: Imer Grainca, Xhabir Morina, Emrush Xhemajli, Skender Haliti, Ramadan Veliu, Rexhep Delolli e Enver Topalli.

Me shperndarjen e literatures ilegale kisha  filluar edhe ne fshatin tim. Ibrahim Deliu, Kemajl Murseli, Osman Hajdari (deshmor) janë disa nga ata që merrnin nga unë literaturë ilegale. Me Ibrahimin e Osmanin në qershor te vitit 1978, në odën time, kemi  shkruar fjalime te Enver Hoxhes te nxjerra nga vepra e 19- të e tij.

 

Me 11 nëntor 1979 filluan arrestimet. Në mëngjesin e kësaj dite u burgosën: Imer Grainca, Xhabir Morina, Emrush Xhemaili, Skender Haliti, Rexhep Delolli, Ramadan Veliu etj. Burgosje nuk pati vetem në Ferizaj, por në qytete të tjera të Kosovës si në Shtime, Lipjan, Suharekë, Prizren, e  në Mitrovicë, në atë mjedise ku kishte filluar tashmë veprimtaria politike në ilegalitet. Nga arrestimet, bastisjet dhe përndjekjet politike u kuptua se organizimi ilegal kishte përfshirë masa të gjera popullore, kështu që shteti në funksion të shuarjes së këtij zjarri që kishte prekur themelet e tij reagoi me ashpërsi jo vetëm  për t‘i dalë përpara një rreziku që mund të kthehej shpejt në një faktor që do ta cënonte ekzistencën e tij seriozisht, por edhe për të treguar se ishte aty si mekanizëm represiv, pra për të shkaktuar frikë dhe panik tek shqiptarët. Pranvera e vitit 1981 tregoi se Lëvizja Ilegale Kombëtare kishte shumë më tepër përkrahës se sa anëtarë dhe se shteti serbo-jugosllav nuk kishte arritur t‘i frikësonte njerëzit. 

 

Siç shkrova më sipër, në librat dhe gazetat legale nuk flitej për krimet dhe vrasjet politike që kishte kryer shteti serbo-jugosllav në periudha të ndryshme. Këtë gjë nuk guxonte askush ta evidentonte në librat dhe gazetat që botoheshin në Prishtinë. Por, veç shkollës dhe mediave, shteti nuk mund të ushtronte kontroll exhe mbi kujtesën popullore. Historia gojore në këto rrethana ishte një burim me vëerë të madhe për formimin e personalitetit të të rinjëve shqiptarë. Në fëmijëri  jnë kisha dëgjuar nga babai për Masakrën e Tivarit. Babai nuk më fliste me të dëgjuara, por në cilësinë e njeriut që gjithçka e kishte parë me sytë e tij, ai ishte një  deshmitar okular i kësaj maskare të madhe, për të cilën ende për fat të keq nuk ekziston një monografi. Ne tashmë kemi marrëdhënie diplomatike me Malin e Zi, në territorin e të cilit është kryer ky krim i madh, por diplomacia jonë asnjëherë deri më tani nuk e ka shtruar çështjen e ndriçimit të këtij krimi kolektiv kundër shqiptarëve që shënon fillimin e një epoke të re në marrëdhënien serbo-shqiptare. Një burim tjetër informimi për mua kishte qenë edhe kusheriri im Ahmet Arifi, i cili si veprimtar i NDSh-së ishte dënuar  me pushkatim, dënim ky që do t‘i i kthehej më vonë  në dënim me 20 vjet burg të rëndë. Nga burgu Ahmet Arifi doli pas 15 vjetësh. 

 

Në anën tjetër, rrëfimet e nënës time ishin mbresëlënëse. Ajo më tregonte  për punën atdhetare të vëllezërve të saj në fshatin Gabrricë të Kaçanikut. Dajtë e mi, Qerimi dhe Avdi Hasaj kishin qenë shumë aktiv në frontin atdhetar të luftës kundër Serbisë. Daja im, Qerimi, kishte qenë krahu i djathtë i luftëtarit të mirënjohur Hysen Tërpeza, kurse daja im tjetër, Avdiu, ishte vrarë në Kryengritjen e Ferizajt të vitit 1945. Në dhjetor të këtij viti Ferizaj i kishte pritur partizanët serbë me armë në dorë. Në Luftën e Ferizajt janë vrarë shumë shqiptarë, por për ta nuk është interesuar historiografia jonë. Ende edhe në këtë shekull nuk ekziston një studim për këtë luftë. Daja Qerim Hasaj pas Luftës dë Ferizajt kishte jetuar një kohë në mal dhe pastaj kishte ikur në Greqi ku ishte sulmuar nga grekët ne kampin Jeropetro Sirad (Neopolis, Xhirit Heraklion) dhe ishte vrarë bashkë me 15 shqiptarë të tjerë refugjatë. 

 

3.

Rezistenca në viset shqiptare në Jugosllavi që në krye të herës ka qenë e madhe. Asnjë shqiptare nuk e donte përfshirjen e tij në shtetin e Serbisë, përkatësisht të Malit të Zi dhe më vonë të Jugosllavisë. Shqiptarët ishin të paorganizuar në fillim të shekullit XX, kështu që ushtritë e vendeve fqinje arritën të shkëpusin territore të mëdha dhe pastaj të kryejnë në to spastrime etnike rrëqethëse. Pavarësia e Shqipërisë u shpallë në Vlorë për Shqipërinë etnike që ishte më e madhe se Shqipëria që u pranua si shtet në Konferencën e Londrës në vitin 1913. Dhe Shqipëria etnike e kësaj kohe ishte përsëri vetëm një pjesë e Shqipërisë etnike të shekullit XIX, apo më saktësisht e Shqipërisë etnike para Krizës Lindore të vitit 1878. Shqipëria zvogëlohej nga shekullinnë shekull. Në mediat tona shpesh ndeshemi me tezën se Perandoria Osmane i ka mbrojtur shqiptarët, madje ajo ka bërë që të zgjerohet hapësira e tyre e jetës. Kjo tezë është fund e krye false. Hapësira etnike shqiptare, siç e tregojnë dokumentat arkivore, ka qenë shumë më e madhe para pushtimit turk. Turqit jo vetëm e bën atë etnikisht më heterogjene, por edhe e zvogëluan gjatë sundimit të tyre shekullor. 

 

Pas shpalljes së pavarësisë, Shqipëria si shtet mes dy luftërave botërore nuk mundi të bëjë pothuajse asgjë për shqiptarët jashtë kufinjëve të saj shretëror. Serbia dhe, më vonë Jugosllavia në shtetin shqiptar të kohës së mbretërusë  dhe atë të kohës së komunizmit arritën të bëjnë për vete udhëheqësit kryesorë. Që nga Esat pashë Toptani e mbreti i mëvënshëm Ahmet Zogu kishin ushtruar një ndikim të madh në periudha të caktuara, kështu që ia dolën mbanë që t‘i mbajnë shqiptarët të ndarë. Sigurisht në gjithë këtë çështje rol të madh, madhe vendimtar ka lozur konjunktura ndërkombëtare që nuk e ka favorizuar aspak faktorin shqiptar.

 

Sa i përket veprimtarisë së grupeve dhe organizatave të ndryshme që kanë vepruar në hapësirën shqiptare në Jugosllavi pas vitit 1945 mund të thuhet se Lëvizja Ilegale Kombëtare ka kaluar disa etapa. Ripushtimi Jugosllav i hapësirë shqiptare është rezultat i vendimeve ndërkombëtare të Jaltës. Kryengritja e Ferizajt, ajo e Gjilanit dhe Kryengritja e madhe e Drenicës me udhëheqës Shaban Polluzhën shënojnë pikat kulmore të mospajtimit shqiptar me ripushtimin. Në shtypjen e këtyre kryengritjeve Jugosllavia kishte edhe mbështetjen politike të Shqipërisë. Deri në vitin 1948 marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare ishin zyrtarisht shumë të mira. Jugosllavia e Titos jo vetëm që nuk kishte ndërmend t‘ia kthente Shqipërisë territorin e pushtuar prej saj, por ajo, Jugosllavia, përpiqej që edhe vetë Shqipërinë ta bënte pjesë të territorit të vetë shtetëror si republikë e shtatë e Jugosllavisë. 

 

Në vitet e para pas vitit 1945 u paraqit NDSh-ja si lëvizje kombëtare politike që vepronte në ilegalitet me shteirje në gjithë hapësirën kombëtare dhe me profil ideologjik perëndimor. Në fillim kjo lëvizje pati mbështetje në Perëndim, mirëpo kjo mbështetje ra sidomos  pas konfliktit të Titos me Stalinin dhe orientimit të tij kah Perëndimi. Shqipëria mbajti anën e Stalinit dhe për këtë shkak ajo u izolua nga Perëndimi, kështu që shqiptarët në Jugosllavi mbetën si peshku pa ujë. Sidomos pas vitit 1948 faktori shqiptar në Jugosllavi na shfaqet difuz dhe pa kurrëfarë organizimi. Në këtë intensifikohet shpërngulja për në Turqi. Historiografia jonë thotë se mes vitit 1948 e 1966 në Turqi janë shpërngulur 440.000 shqiptarë. Në funksion të shpërnguljes ka qenë edhe Aksioni i Mbledhjes së Armëve i vitit 1955/1956 që shënon kulmin e shtypjes së shqiptarëve nga shteti jugosllav. 

 

Pas vitit 1948 marrëdhëniet shtetërore jugosllavo- shqiptare  pothuajse u ndërprenë deri në vitet 1960. Në këtë kohë shteti shqiptar u përpoq që t‘i zgjidh problemet e tij me Jugosllavinë përmes bashkëpunimit të ngushtë me Rusinë sovjetike, sidomos në kohën kur në krye të shtetit sovjetik ishte Stalini. Me ardhjen e Hrushçovit, Brezhnjevit dhe liderëve të tjerë rusë Shqipëria e kuptoi se nuk mund të mbështetet në BRSS-në në marrëdhëniet me jugosllavët, sepse Rusia sovjetike ishte pozicionuar në anën e Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë. 

 

Duke filluar nga vitet 1960 rinia shqiptare filloi të organizohet politikisht në frontin e çlirimit kombëtar. Në këtë kohë grupet dhe organizatat ilegale shfrytëzonin si literaturë librat e poetit tonë kombëtar Gjergj Fishta, sidomos kryeveprën e tij “Lahuta e Malcis”. Në vitet 1970 paraqiten grupet e para marksiste-leniniste që ishin nën ndikimin e plotë ideologjik të Partisë së Punës të Shqipprisë. Në këtë kohë dominonin veprat e Enver Hoxhës. Ky tren vazhdoi deri në vitin 1985 kur u burgosën pjesa më e madhe e anëtarëve të Komitetit Organizativ të Marksistë-Leninistëve të Kosovës (KOMLK). Deri në vitin 1990 nuk do të ketë më burgosje në stil të gjerë. 

Greva e madhe e Minatorëve të Trepçës dhe demonstratat e mëdha të  vitit 1989 dhe 1990do të jenë gjithpopullore, por me një profil tjetër ideologjik, ideologjia marksiste-leniniste pothuajse u zhduk. Me paraqitjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës me 23 dhjetor 1989 hymë në një etapë të re ideologjike, ku e majtja në përgjithësi dhe sidomos ajo me stampë enveriste refuzohet në tërësi dhe me një ashpësi të paparë. E majta në tërësi si fenomen politik konsiderohet si një shfaqje lindore me tipare ruse. E vërteta është se edhe në Perëndim e majta që nuk është partiakisht e organizuar vuan nga nostalgjia ruse, kurse ajo që është brenda formacioneve partiake në vazhdimësi mbron politikat e Rusisë, madje edhe atëherë kur ato janë të djathta dhe imperialiste si në rastin e pushtimit të Ukrainës. 

 

Në 44 vjetorin e arrestimeve të vitit 1979 mund të bëjmë një përgjithësim si më sipër. Fakti që pas lejimit të forimimi të partive politike në Kosovë nuk u formua asnjë parti komuniste marksist-leniniste, tregon se ideologjia politike partiake në mjedisin shqiptar nuk mund të shkëputet nga pati ynë kombëtar. Duhet  theksuar faktin që Lëvizja jonë Ilegale Kombëtare asnjëherë nuk ka qenë proruse. Nuk ka mundur të jetë e tillë për vetë faktin se ajo ka luftuar me mjete politike deri në vitin 1996, kurse në kuadrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe me armë, për çlirimin nga Serbia, e cila, siç shohim edhe sot, mbështetjen kryesore e ka nga Rusia. Rusia, qoftë e majtë, qoftë e dhathtë, është kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i Qeverisës ë Kroacisë, Marko Miliq, ka thënë se…