Arrestimi i bosit të Telegramit, Makron: Është pjesë e një hetimi jopolitik

26 gusht 2024 | 21:55

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka reaguar pas akuzave të ngritura nga Kremlini dhe figura të tjera të njohura publike se arrestimi i themeluesit dhe CEO së Telegram, Pavel Duriv është i ndikuar politikisht.

Pavel Durov u arrestua mbrëmjen e së shtunës nga policia franceze në aeroportin Le Bourget, që ndodhet në veri të Parisit, teksa kishte mbërritur nga Baku i Azerbajxhanit.

Në një deklaratë për media të dhënë këtë të hënë, Macron shprehet se Durov ishte pjesë e një hetimi gjyqësor në vazhdim dhe jo një lëvizje politike.

Në raportimin e ditës së djeshme, duke u nisur nga mediat franceze, Neësbomb.al bëri të ditur arsyet e arrestimit të tij.

Arrestimi i Durov vjen si pjesë e një hetimi paraprak të drejtuar nga OFMIN e Francës (Zyra për Parandalimin e Dhunës kundër të Miturve).

Zyra kishte lëshuar më herët një urdhër për arrestimin e tij, duke cituar akuza që përfshijnë pastrim parash, trafik droge dhe shpërndarje të përmbajtjeve sensitive, kryesisht ato të abuzimit seksual të fëmijëve në Telegram.

Mungesa e moderimit të platformës dhe përdorimi i supozuar i saj nga grupet kriminale kanë qenë në qendër të këtyre hetimeve nga autoritetet franceze.

Hetimi u fokusua në shfrytëzimin e mundshëm të Telegram nga subjektet kriminale, si dhe dështimin e pretenduar të Durov për të zbatuar masa efektive për të parandaluar aktivitetet e paligjshme në platformë.

Megjithatë, Moska ka akuzuar Francën për standarde të dyfishta të fjalës së lirë dhe ka nxitur një paralajmërim të prerë nga Kremlini se Durovit duhet t’i njihen të drejtat e tij, duke përkeqësuar më tej marrëdhëniet tashmë të tensionuara midis të dy vendeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Djali i N.M, e cila dyshohet se vrau kunatin e…