Arrestimi i dy kosovarëve, Ministria e Jashtme kërkon detaje nga Serbia
Ministria e Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) ka bërë me dije se kanë dërguar kërkesë në Qeverinë e Serbisë, për detaje rreth arrestimit të dy kosovarëve në Merdar.
MPJD-ja ka bërë të ditur se Zyra Ndërlidhëse ka kërkuar informacione për identitetin dhe vendin ku po mbahen personat e arrestuar.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar tashmë Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, një kërkesë formale për ta konfirmuar rastin, si dhe për të ofruar detajet tjera relevante, përfshirë identitetin e personave të arrestuar dhe lokacionin ku ata janë duke u mbajtur. Lidhur me këtë, janë njoftuar edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Beograd”, është thënë në njoftimin e MPJD-së.