Arrestimi i Fredi Belerit, Rama: Sprovë e madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e konsideron një sprovë të madhe për organet e drejtësisë arrestimin e kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Fredi Belerit, në vigjilje të zgjedhjeve.
Nisur nga arrestimi i tij, kreu i qeverisë thekson se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar.
Rama bëri thirrje që askush mos të nxitohet me konkluzione politike, por të presin komunikimin e organeve të drejtësisë, duke theksuar se beteja politike për 14 majin nuk ka lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë.
“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar! Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”, ka shkruar Rama në “Twitter”.
Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri është arrestuar pak minuta pas mesnate nën akuzën e shitblerjes së votave, në restorantin e tij në Himarë dhe është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Vlorë rreth orës 00:15.
Belerin e kanë shoqëruar dy persona në drejtim të komisariatit Himarë dhe më pas mësohet se është dërguar drejt Vlorës.
Bashkë me të janë shoqëruar edhe avokati i tij personal dhe një person tjetër, pjesë e stafit të punës