Arrestimi i Ilir Metës, Monika Kryemadhi: Po persekutohemi nga drejtësia
Monika Kryemadhi, ish-bashkëshortja e kreut të Partisë së Lirisë, ka reaguar lidhur me arrestimin e Ilir Metës sot në mesditë.
Kryemadhi ka thënë se ajo ende nuk ka dijeni mbi një vendim gjykate për masa sigurie ndaj saj dhe Metës.
Mediet kanë raportuar se pas arrestimit të Metës, SPAK-u ka lëshuar masën “detyrim paraqitje” për Kryemadhin.
Por siç ka pohuar vetë Monika Kryemadhi ajo nuk është njoftuar për asnjë masë të tillë, të paktën deri më tani.
Ish-bashkëshortja e Metës ka thënë se sapo të njoftohet për këto vendime të drejtësisë do të përgjigjet me të gjitha hapat ligjorë dhe publikë.
“Të dashur gazetarë për të cilët kam shumë respekt dhe që sot po raportoni lajme të servirura nga propaganda e qeverisë për sulmet e radhës të drejtësisë ndaj opozitës shqiptare. Unë ende nuk kam marrë dijeni mbi një vendim gjykate që do të vendoste masa sigurie mbi mua apo babain e fëmijëve të mi”.
“Sapo të njoftohem për këto vendime të drejtësisë do të përgjigjem me të gjitha hapat ligjore dhe publike. Persekutimi nga drejtësia si armë ndaj kundërshtarit politik, si dhe gjyqi publik që po na bëhet, nuk ndalon opozitën në betejat pa kompromis për të mbrojtur interesin publik. Duke nisur nga inceneratorët dhe deri tek çdo betejë tjetër të drejtë që po luftojmë për shqiptarët”, ka shkruar Kryemadhi në “Facebook”.