Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, zëvendëskryeministri Mexhiti: Jemi duke punuar për lirimin e tij
“Jemi duke punuar për lirimin e tij”, ka thënë për Albanian Post zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, pasi që autoritetet maqedonase kanë arrestuar ish-ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani, për shkak të fletarrestit nga Serbia.
“Ka pasur edhe në të kaluarën raste të ngjashme. Po punojmë për ta evituar si problem”, tha Mexhiti për AP, derisa tregoi edhe për veprimet që janë duke i bërë për rastin në fjalë dhe jo vetëm.
“Jemi duke punuar edhe për këtë rast, por edhe për rastet tjera”, potencoi zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë e RMV-së.
Kjo ka ndodhur, siç tregoi Mexhiti, pasi që Serbia, ish-ushtarët e UÇK-së, i paraqet në INTERPOL.
“Pastaj paraqiten në sistem”, pohoi ai, duke shtuar se “duhet që ta gjemë zgjidhjen që të eliminohet si fenomen, jo vetëm për këtë rast”.
Çka ndodhi?
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë arrestuar, të mërkurën, ish-ushtarin e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës (UÇK), ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes, pasi që i njëjti kishte fletarrest nga Serbia.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes një komunikate për media
“Ambasadori ynë në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, është angazhuar intensivisht për të trajtuar këtë rast dhe si MPJD Jemi duke punuar me autoritetet maqedonase për të siguruar lirimin e shpejtë të Ramadani”, thuhet në njoftim.
Nga MPJ-ja kanë theksuar se do të informojnë publikun për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë rast.
Arrestimi i Ramadanit u krye në pikëkalimin kufitar Jaznicë-Glloboqicë, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.