Arrestimi i Liamit nxjerr në pah skandalin: Ishte dënuar në 2022, por nuk ishte ndaluar asnjëherë në kufi
Policia njoftoi me bujë arrestimin e Liam Osmanit, 44-vjeçari që kishte pak orë që ishte bërë banori më i ri në shtëpinë e Big Brother VIP. Sipas njoftimit, ai është dënuar me akuzën e mashtrimit me dy vite e gjashtë muaj burg.
Aksioni më shumë se sa zbatim i ligjit për të gjithë dhe kudo, aksioni tregon paligjshmërinë e përpjekjeve të organeve ligjzbatuese, si prokuroria dhe policia në kërkim të ‘Scoop’-it e famës.
Aksioni gjithashtu nxjerr zbuluar edhe paaftësinë e prokurorisë dhe policisë.
Si?
Liam Osmani, sipas vetë njoftimit të policisë është dënuar për mashtrim me dy vite e gjashtë muaj burg dy vite më parë dhe po dy vite më parë prokuroria ka nxjerrë kërkesën për ekzekutimin e vendimit të gjykatës.
Por, ekzekutimi i këtij vendimi është shtyrë për shkak se 44-vjeçari nuk jetonte në Shqipëri. Ai vendosi që të rikthehej vetëm kur mori ofertën që të bëhej pjesë e shtëpisë së Big Brother VIP Albania.
Fill pasi palët u dakordësuan, Top Channel përmes kanaleve të veta zyrtare në rrjetet sociale njoftoi disa ditë para së shtunës së Liam Osmani do të bëhej pjesë e shtëpisë. Pra, të gjithë e morën vesh që 44-vjeçari, të shtunën do të ishte te studio e Top Channel në Mëzez, por Prokuroria e Policia jo.
Skandali thellohet edhe më tej dhe ngre pikëpyetje të mëdha se pse Liam Osmani nuk u arrestua që në Rinas? A nuk u doli punonjësve të policisë në sistemin TIMS njolla e kuqe e tij? Pse nuk u arrestua para se të hynte në Shtëpinë e Big Brotherit?
Të gjitha këto shkelje të prokurorisë dhe policisë sugjerojnë se arrestimi i tij brenda shtëpisë dhe shpërndarja më pas e njoftimit për mediat në kohë rekord ka qenë i mirëmenduar, që për qëllim mund të ketë pasur përpjekjen e prokurorisë e policisë që të fitojë pak famë nga fama e Big Brotherit.
A ia arriti qëllimit? Më shumë se fama, ajo që fitoi prokuroria e policia është përforcimi i imazhit qesharak mes qytetarëve.