Arrestimi i spiunëve, Limaj: UDB-ja në Kosovë është e zgjeruar në nivele të larta
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas arrestimit të Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, nën dyshimet se kanë bashkëpunuar me Shërbimin e Inteligjencës së Serbisë (BIA).
Limaj ka thënë se këto arrestime nuk janë asgjë e pazakontë, pasi shërbimet e shtetit të Kosovës ballafaqohen me këso arrestime.
Prokuroria Speciale ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore.
Ndryshe, portali “The Geopost” sot ka publikuar një audio-incizim, ku dëgjohen duke biseduar Srdjan Rosiq dhe Bedri Shabani- i dyshuar për spiunim.
Megjithëse, audio në disa pjesë është e censuruar, aty kuptohet qartë se Bedri Shabani, i dyshuar për bashkëpunëtor të shërbimit serb të inteligjencës se, kërkon që BIA t’i ndihmojë atij dhe njerëzve të tij që ta kryejnë një punë.
Në një nga këto komunikime, Shabani dëgjohet duke kritikuar organizatorët serbë për amatorizëm dhe sugjeron përfshirjen e tij për një organizim më profesional.