Arrestohen 10 persona të dyshuar për krime kibernetike
Dhjetë persona janë arrestuar nga policia nga aksioni që është kryer sot në katërmbëdhjetë lokacione.
Të arrestuarit dyshohen për krime kibernetike, ku si pasojë e veprimeve u janë shkaktuar dëme bankave.
“Të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, kanë përdorur kartelat bankare pa autorizim duke bërë transaksione, tërheqje të parave nga bankomatët dhe blerje të gjësendeve të ndryshme, me kartela bankare të cilat kanë arritur në forma të ndryshme t’i komprometojnë. Në këtë rast janë dëmtuar institucionet financiare (bankat) në Kosovë me mijëra euro”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Mbi ta rëndojnë akuzat “lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit” dhe “‘hyrje në sistemet kompjuterike”.
Kontrollet janë realizuar në 14 lokacione në qytetet: Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Drenas, Suharekë dhe Deçan.
Policia ka sekuestruar prova të ndryshme relevante, përfshirë kompjuterë, telefona celularë, USB, kartela bankare, dokumente, si dhe tre armë dhe municion.
Ndërsa hetuesit policorë para këtij arrestimi kanë zhvilluar veprime hetimore për një periudhë disa mujore.