Arrestohen dhjetëra persona në Kazakistan
Policia në Kazakistan ka arrestuar dhjetëra protestues, teksa vendi mban zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku pritet të zgjidhet pasardhësi i ish-presidentit autoritatar, Nursultan Nazarbaev.
Protestuesit në qytetin Almaty po bënin thirrje për bojkotin e zgjedhjeve, në të cilat Qasym-Zhomart Toqaev po garon kundër gjashtë kandidatëve të tjerë.
Disa protestues dhe gazetarë, përfshirë edhe gazetarin e Radios Evropa e Lirë, Pyotr Trotsenko, janë arrestuar.
Toqaev, 66-vjeçar, për një kohë të gjatë është konsideruar pasardhësi i presidentit Nazarbaev. Ky i fundit, u largua nga posti më 19 mars, pas pothuajse 30 vjetësh në pushtet.
Shumica e vendvotimeve janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 20:00.
“Njerëzit tanë janë të shqetësuar për shumë çështje ekonomike dhe sociale”, citohet të ketë thënë Toqaev pasi ka votuar në Astana.
Gjashtë kandidatët e tjerë, që po garojnë në këto zgjedhje, kanë marr miratimin e Qeverisë, por ata janë pothuajse të panjohur për votuesit, pasi kanë bërë shumë pak fushatë.