Arrestohen dy persona, dyshohen se mashtruan 27 qytetarë me bileta false të fluturimeve
Policia e Kosovës ka bërë me dije se ka arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se kanë mashtruar 27 qytetarë nga Kosova dhe diaspora me bileta false të fluturimeve.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia e Hetimeve Financiare pas hetimeve disa mujore nën dyshimin e bazuar për veprën penale ‘Mashtrim’, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aplikuar masat e fshehta të hetimit me ç’rast ka bërë mbledhjen e mjaftueshme të provave të cilat ndërlidhen me veprën penale të lartëcekur. Lidhur me rastin, me datë 26.04.2019 është zhvilluar plani operativ avio-biletat me ç’rast janë kontrolluar katër lokacione, në rajonet Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë, në mesin e tyre tri agjenci turistike si dhe një banesë. Gjatë kontrollimit është bërë arrestimi i dy personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast si dhe është bërë konfiskimi i tri shtëpizave të kompjuterëve, tre telefonave mobil, dhe disa dokumenteve të cilat ndërlidhen me rastin”.
“Personat e dyshuar të arrestuar në këtë operacion janë : R.I – M/Sh/K, viti i lindjes 1990, dhe A.D – F/Sh/K,viti i lindjes 1995. Si pasojë e veprimeve të të dyshuarve dyshohet se janë dëmtuar disa agjenci turistike dhe rreth 27 (njëzet e shtatë) qytetarë nga regjionet e ndryshme të Kosovës si dhe nga diaspora. Dyshohet se numri i personave të dëmtuar nga ky rast mund të jetë më i madh, andaj apelojmë tek të gjithë qytetarët që janë viktima të mundshme të mashtrimit nga personat e dyshuar të lartëcekur të lajmërohen në polici. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarve iu është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
/Epoka e re/