Arrestohen dy persona në Pejë, sekuestrohen rreth 100 kilogramë drogë
Policia e Kosovës njofton se ka realizuar operacionin e koduar “Kalaja”, ku janë arrestuar dy të dyshuar dhe janë sekuestruar rreth 100 kilogramë drogë.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se aksioni u zhvillua pas hetimeve të koordinuara nga Drejtoria e Antidrogës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, mesditën e së dielës.
Sipas Policisë, operacioni policor është realizuar në një qendër tregtare në rrugën magjistrale Pejë-Deçan dhe ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve.
“Pas kryerjes së arrestimeve është vazhduar me bastisje dhe deri në këtë fazë në fshatin Raushiq të Pejës janë gjetur rreth 100 kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë, sasi kjo në gjendje të ndryshme, disa prej tyre e gatshme dhe tjerat në formë të bimëve duke u terur e cila është sekuestruar. Bimët kanë qenë të kultivuara në oborrin e një fermë në afërsi të një shtëpie në fshatin Raushiq dhe sasia e tyre është 213 bimë”, thuhet në njoftim.
Policia njofton se nën dyshimet e ngritura, operacionin policor e ka vazhduar me bastisje/kontroll edhe në fshatin Barilevë të Prishtinës, ku po ashtu është gjetur një sasi e vogël si substancë e dyshuar narkotike.
“Po ashtu janë sekuestruar edhe 4 vetura të ndryshme si mjete të veprës penale. Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kompetent, si dhe forenzika e PK-së për procedura tjera të nevojshme. Rasti mbetet të hetohet nga njësitet kompetente të antidrogës dhe Prokuroria Themelore në Pejë”, thuhet në njoftim.