Arrestohen dy persona në Prishtinë për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm
Një 19-vjeçar dhe një 21-vjeçar janë arrestuar si të dyshuar për hedhjen e një granate dore, nëntorin e kaluar në rrugën “Fahri Fazliu”, në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Policisë ata janë arrestuar të martën dhe dyshohen për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Rasti ka ndodhur më 22 nëntor të vitit 2023 rreth orës 23:45. Atëherë dy persona kishin deklaruar në Polici se nga shpërthimi ishin dëmtuar pronat e tyre.
Tani të arrestuarit me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit thuhet se janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh.
“Arrestimi i të dyshuarve; Sh. S., mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, K. S., mashkull, 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, respektivisht sigurimi i prezencës së tyre, erdhi si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme operativo-policore, në kuadrin e procesit hetimor të këtij rasti. Përderisa policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndaj të dyshuarve me autorizimin e prokurorit të shtetit është iniciuar hetim në drejtim të veprave penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356, si dhe, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, nga neni 366”, thuhet në njoftimin e Policisë.