Arrestohen dy persona për ‘vjedhje të rëndë’
Në Prizren hetuesit policorë, pas një pune hetimore intensive të njësiteve relevante, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë dy persona të dyshuar (A. M. dhe A. K.), të cilët dyshohet të kenë kryer veprën penale ‘vjedhje e rëndë’.
Personat e dyshuar, tashmë të arrestuar, dyshohet të jenë përfshirë në një rast të ndodhur më 14 prill 2019 në rrugën “Jusuf Gërvalla” në Prizren.
“Të dyshuarit duke vepruar në mënyrë të vrazhdë ia kanë marrë nga dora viktimës kuletën, në të cilën ka pasur dokumente personale dhe të holla në vlerë rreth 80 euro. Në vazhdim të dyshuarit dyshohet se kanë kryer edhe dy vjedhje, raste të ngjashme me këto, të cilat vepra i kanë pranuar në prezencën e prindit dhe avokatit mbrojtës. Të njëjtit konsiderohen si recidivistë të këtyre veprave penale. Me vendim të prokurorit të dyshuarve u shqiptohet masa e ndalimit policor për 24 orë”, është bërë me dije në njoftimin e Policisë së Kosovës.
/Epoka e re/