Arrestohen dy persona që krijuan grupin në ‘Viber’ për t’i ikur radarit
Policia e Kosovës ka arrestuar të martën dy persona, si të dyshuar që kanë krijuar një grup në aplikacionin “Viber”, dhe në të ishin të anëtarësuar mbi 7 000 persona, të cilët kanë shpërndarë informacione rreth vendndodhjes së patrullave të policisë.
“Njësiti i hetimeve ka ndaluar dy të dyshuarit meshkuj k/shqiptarë. Nga të dyshuarit, janë konfiskuar dy telefona të mençur dhe me urdhër të prokurorit, pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, është thënë në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Anëtarët e këtij grupi e njoftojnë njëri-tjetrin për kontrollet e policisë me radarë dhe kontrolle të tjera, edhe përmes fotografive. Disa javë më parë, “Radio Evropa e Lirë” ka raportuar për funksionimin e këtij grupi që një kohë të gjatë. Për të njëjtin grup ishte në dijeni edhe Policia e Kosovës.