Arrestohen dy persona të dyshuar për mashtrim
Sot nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, janë arrestuar dy persona të dyshuar për mashtrim: B. K, mashkull, 29 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe B. E, mashkull, 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilët dyshohet të ketë marrë nga persona të ndryshëm, shuma të caktuara parash që në total arrijnë vlerën rreth 10.000 euro, duke u premtuar atyre se do të ua rregullonte dokumentet për të punuar jashtë vendit.
“Mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimi mund të ketë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga i dyshuari mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar deri tani. Deri tani në polici si viktima të këtij mashtrimi janë paraqitur pesë persona, andaj marrë në konsideratë këtë fakt, kërkojmë nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për të ndihmuar policinë drejt hetimit përfundimtar”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, pas arrestimit dhe marrjes së autorizimit nga ana e prokurorit, personat e dyshuar janë dërguar në qendrën e mbajtjes në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale, para se rasti të kalojë në institucionet kompetente.