Arrestohen dy shtetas të Kolumbisë në Prishtinë, dyshohen për mashtrim
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, respektivisht hetuesit e stacionit policor Jugu, kanë arrestuar dy persona të dyshuar për disa raste të mashtrimit, si dhe kanë sekuestruar një sasi të parave, (dyshohet të përfituara duke kryer vepra mashtrimi).
“Personat e dyshuar: mashkull 47 vjeç, shtetas i Kolumbisë dhe femër 28 vjeç, shtetase e Kolumbisë. Me vendim të prokurorit, janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë. Personat e arrestuar dyshohet të kenë marrë nga ankuesit (punëtor të këmbimoreve) shuma të ndryshme parash duke i mashtruar (gjatë rinumërimit kanë fshehur një shumë parash derisa kanë qenë duke i konvertuar)”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimet mund të kenë ndodhur në vazhdimësi edhe jashtë rajonit të Prishtinës, si dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar. “Kërkojmë nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për të ndihmuar policinë drejt hetimit përfundimtar”, ka njoftuar oolicia